Danish Siddiqui, një fotograf i Reuters që fitoi një Çmim Pulitzer për ekspozimin e dhunës me të cilën përballen refugjatët Rohingya, është vrarë në përleshjet pranë Kandaharit në Afganistan.
Siddiqui ishte fotografi kryesor i agjencisë së lajmeve në Indi, me qendër në Mumbai. Reuters raportoi vdekjen e Siddiqui të premten, duke cituar një komandant afgan i cili tha se ai ishte vrarë ndërsa mbulonte luftimet midis forcave afgane të sigurisë dhe luftëtarëve Talibanë.
Komandanti tha se forcat speciale afgane kishin luftuar për të rimarrë një zonë tregu pranë një kalimi kufitar me Pakistanin kur Siddiqui dhe një oficer i lartë afgan u vranë, sipas Reuters.
Reuters njoftoi se Siddiqui ishte vendosur gjatë javës së kaluar me forcat speciale afgane dhe se ai informoi agjencinë e lajmeve se ai ishte plagosur në krah gjatë një përplasjeje të hershme të premten. Agjencia e lajmeve tha se ‘nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur hollësitë e luftimeve të reja të përshkruara nga zyrtari ushtarak afgan’.
“Ne po kërkojmë urgjentisht më shumë informacion, duke punuar me autoritetet në rajon.” – thanë presidenti i Reuters, Michael Friedenberg dhe kryeredaktorja Alessandra Galloni në një deklaratë të postuar në Twitter.