Të paktën 133 persona kanë humbur jetën deri tani në përmbytjet në Gjermaninë perëndimore, konfirmuan zyrtarët të shtunën.
Më shumë se 90 njerëz humbën jetën në rrethin e goditur rëndë Ahrëeiler të shtetit Rhineland-Pfalz, tha Departamenti i Policisë së Koblenz në një deklaratë. Numri i të vdekurve mund të rritet në orët në vijim duke qenë se ka ende shumë të zhdukur.
Nga burimet zyrtare raportohet gjithashtu për 618 të lënduar për shkak të përmbytjeve.
Në shtetin fqinj Nordrhein-Westalen zyrtarët kanë konfirmuar 43 vdekje.
Përmbytjet më të këqija të Gjermanisë në më shumë se 200 vjet kanë marrë me vete shtëpitë, kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në qytete dhe fshatra të ndryshëm në rajonet perëndimore.
Deklarata e policisë gjithashtu shtoi se ende nuk kishte energji elektrike në shumë vende dhe linjat telefonike nuk po funksionojnë, ndërsa rrugët mbesin të mbyllura.
Ndërkohë, përmbytja ka vrarë të paktën 27 njerëz deri tani në Belgjikë, sipas mediave lokale.
Kryeministri belg Alexander De Croo, e përshkroi situatën si ‘katastrofa më e madhe që vendi ynë ka parë ndonjëherë’. Reshjet e mëdha të shiut u ndalën që nga e premtja në pjesën më të madhe të pjesës lindore të vendit të prekur nga përmbytja.