Vendosni fjalën kyçe....

Basha e hap Kuvendin Kombëtar të PD-së me “1 minutë heshtje për viktimat e Covid-19”


Po mbahet në këto momente mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku kryetari i kësaj force politike Lulzim Basha e nisi duke kërkuar një minutë heshtje për viktimat nga Covid-19 në vendin tonë.

“Përpara se të nis fjalën time ju ftoj të mbajmë 1 minutë heshtje për jetët e humbura për shkak të Covid-19… (heshtje) Zoti u dhëntë paqe shpirtrave të tyre dhe iu ngushëlloftë familjet që humbën të dashurit e tyre”- tha Basha.

Më pas ai vijoi të flasë lidhur me pandeminë, për të cilën u shpreh se zbuloi diferencat mes tij dhe kundërshtarit politik.

“Kjo sprovë e vështirë në mbarë njerëzimin, shënoi në Shqipëri numrin më të lartë të jetëve të humbura në kontinent në raport me popullsinë. Një bilanc tragjik që bëhet edhe më pikëllues prej indinjatës që lind vetvetiu ku lotëve dhe dhimbjes së mijëra familjeve iu kundërvihet buzëqeshja e shtirur e propagandës me të cilën regjimi lan duart për përgjegjësinë e tij. Dhe kur shqiptarët kishin nevojë për ndihmë, iu ofroi vetëm gjoba dhe propagandë.

Kjo përballje me pandeminë ishte një tjetër moment ku ne e pamë qartë kundërshtarin që kishim përballë dhe diferencën që ndan botëkuptimet tona, sepse edhe kur fatkeqësia goditi Shqipërinë, ata nuk e ndalën babëzinë e tyre.”- u shpreh kryedemokrati.