Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Unë kam një ëndërr, që të rinjtë shqiptarë të na përfaqësojnë në institucione të BE-së


Kryedemokrati Lulzim Basha, gjatë fjalimit të mbajtur paraditen e sotme në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së tha se kishte një ëndërr.

Sipas tij është koha që të rinjtë shqiptarë të përfaqësojnë vendin në institucionet e Europës.

“Vëllezër dhe motra, dua të ndaj me ju diçka që nuk e kam thënë më parë.

Unë e dua Europën jo vetëm për atë që përfaqëson dhe për mundësitë që ajo i krijon Shqipërisë, por edhe sepse kam një ëndërr, dhe ajo është që shumë shpejt, ne të shohim të rinjtë e këtij vendi, vajzat dhe djemtë e mrekullueshëm të Shqipërisë, të përfaqësojnë vendin tonë, shtetin tonë, kombin tonë në institucionet e Europës, me dinjitetin që u takon brenda familjes së madhe europiane.

Këtë do ta bëjmë realitet bashkë!

Dhe kjo do të jetë ora më e mirë e Partisë Demokratike, ora më e bukur e Shqipërisë.”– deklaroi Basha.

Ai u shpreh se Partia Demokratike sot është në luftë me modelin që sipas tij në Kuvend fut ushtarët e krimit dhe u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të qëndrojnë të bashkuar, për ta luftuar këtë model dhe për të bërë të mundur ndryshimin.