Policia e Durrësit ka njoftuar se ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale. Uniformat blu kanë vënë në pranga një 30-vjeçar, i cili akuzohet për prodhim dhe shitje të minave me telekomandë.
Personit me inicialet E.Th iu gjetën dhe sekuestruan 2 mina me telekomandë të cilat do shiteshin kundrejt çmimit 6000 euro.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në koordinim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë po tentonte të shiste mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar ‘Parandalimi’.
Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur ‘Muzeu’ në lagjen nr.9, Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Th., 30 vjeç, banues në Katund i Ri, Durrës.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Shërbimet e Policisë sqarojnë se gjatë kontrollit fizik ndaj 30-vjeçarit, i gjetën dhe sekuestruan atij në cilësinë e provës materiale “2 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, të cilat ky shtetas do i shiste kundrejt shumës 6000 euro.”
Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.