Vendosni fjalën kyçe....

Edi Paloka: Do doja ta kishte pasur Basha fajin për humbjen e ta largonim, do ishte më e lehtë


Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka mbajtur një fjalim në Kuvendin Kombëtar, ku tha se pas zgjedhjeve të 25 Prillit disa kolegë të tij e kanë adresuar gabim humbjen.

Paloka tha se edhe ai vetë do të kishte dashur që fajtor për humbjen të kishte qenë Lulzim Basha, por sipas tij kjo nuk është e vërteta dhe se kjo ide i shërben vetëm kundërshtarit.

Sipas Palokës, nëse fajin do e kishte Basha apo dikush tjetër, zgjidhja do të ishte më e lehtë duke larguar personin përgjegjës. Por sipas tij fajin e ka manipulimi i zgjedhjeve nga maxhoranca.

 “Sot ne do të duhej në fakt të ishim duke diskutuar për implementimin e programit tonë qeverisës, për zgjidhjet dhe hapat që do të ndërmerrnin për rikthimin sa më parë jo vetëm të shpresës por edhe normalitetit në jetën e shqiptarëve.

Për fat të keq jemi në një situatë krejt tjetër. Jemi në situatën që Rama na ka imponuar pas asaj që ndodhi më 25 Prill, një situatë e përsëritur për të cilën sot kërkohet zgjidhje. Një zgjidhje që nuk është aspak e lehtë.

Të jem i hapur me ju, meqë nuk jam shprehur më parë. Unë do të dëshiroja që zgjidhja të ishte aq e lehtë saç e paraqitën disa kolegë tanët pas 25 Prillit: ‘Fajtor është Basha, të largojmë Bashën dhe problemi u zgjidh.’

Sinqerisht do të dëshiroja të ishte kështu, që shkaku i humbjes në thonjëza të ishte Basha, unë apo kushdo tjetër nga ne, sepse në këtë rast zgjidhja do të ishte tërësisht në duart tona. Pra do të ishte më e lehtë. Por nuk është kështu, kjo nuk është e vërteta.

E nëse zgjidhjen do ta kërkonim duke u nisur nga një shkak i pavërtetë, atëhere dhe pikërisht atëhere do të kishim hyrë në një qark të pashpresë, e do të riciklonim të njëjtin gabim. Sepse kushdo do të ishte në këto zgjedhje apo të tjetra të organizuara dhe të manipuluara nga Rama, sot apo në të ardhmen të jeni të bindur se do të humbiste e ne do të vazhdonim të merreshim me njëri-tjetrin e duke lënë Ramën të merret me lojën e tij.”- deklaroi sot Paloka.