Ekstradohet nga Spanja një 64-vjeçar shqiptar, i cili është dënuar me 10 vite burg pasi dyshohet për zhdukjen e një personi, të cilit i kishte premtuar se do ta dërgonte drejt Australisë.
Sikurse bën me dije policia, Luan Bundo i kishte premtuar një 32-vjeçari nga Dibra se do ta çonte në Australi. Ky i fundit i quajtur Mensur Prençi ishte nisur me Bundon nga Indonezia drejt Australisë, dhe nga ky moment ka humbur gjurmët me familjarët e tij. Bundo është i dënuar me vendim gjykate për akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Ai besohet se i kishte marrë të riut një shumë prej 13 mijë eurosh.
Detajet e policisë:
Vijon bashkëpunimi me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet në Spanjë dhe ekstradohet drejt Shqipërisë, një shtetas i dënuar me 10 vite burg. Nga Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Spanja drejt Shqipërisë, i shtetasit Luan Bundo, 64 vjeç.
Shtetasi Luan Bundo është arrestuar nga autoritetet policore në Madrid, pas shkëmbimit të informacionit policor mes Interpol Tiranës me Interpol Madridin, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas me 2 vite të tjera heqje lirie, për veprën penale “Mashtrimi”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Shtetasi Luan Bundo i ka premtuar shtetasit M. P. se do ta shoqëronte për në Australi, kundrejt pagesës. Të dy së bashku kanë shkuar fillimisht në Indonezi dhe prej atje, me një peshkarexhë që drejtohej nga njerëz të cilët ishin njohje me shtetasin Luan Bundo, do të kalonin ilegalisht për në Australi. Familjaret e shtetasit M. P. kanë humbur kontaktet me të dhe më pas nuk kanë patur asnjë komunikim apo informacion për vendndodhjen e tij.