Arrestohet lidhur me rastin e helmimit në Deçan të Kosovës një zyrtar përgjegjës për kamerat e sigurisë te Gryka e Deçanit.
Siç raporton REL, punonjësi u arrestua pasi u vërtetua që kamerat ishin jo funksionale prej dy muajsh në këtë zonë.
Arrestimi i tij u konfirmua nga zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi.
“I njëjti dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare përderisa ka qenë përgjegjës i laurës në Grykën e Deçanit.”- tha Nikqi.
Prokuroria e Pejës është duke kryer hetimet lidhur me shkaktarin e helmimeve në Deçan.
Që nga data 10 korrik, mbi 1500 persona në Deçan shfaqën simptoma të helmimit. Sipas testimeve të fundit të bëra nga Instituti i Shëndetit Publik doli që një pjesë e ujit të pijshëm nga ujësjellësi “Hidrodrini” është i kontaminuar me baktere.
IKSHPK është duke kryer analiza të vazhdueshme të ujit, ndërsa disa mostra të pacientëve të helmuar është thënë se do të dërgohen për testim jashtë Kosovës.