Vendosni fjalën kyçe....

Joe Biden: Keqinformimi në Facebook po vret njerëzit


Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka paralajmëruar se përhapja e dezinformatave mbi Covid-19 në mediat sociale po “vret njerëzit”.

Ai po i përgjigjej një pyetjeje nga një reporter në lidhje me rolin e “platformave si Facebook” në përhapjen e gënjeshtrave në lidhje me vaksinat dhe pandeminë.

“Ata po vrasin njerëz.”- u tha Biden gazetarëve të premten në Shtëpinë e Bardhë, citon BBC. “E vetmja pandemi që kemi është midis të pavaksinuarve.”

Më herët të Premten, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Facebook dhe platformat e tjera nuk po bënin sa duhet për të luftuar dezinformimin rreth vaksinave.

“Padyshim, ka hapa që ata kanë ndërmarrë.”- tha ajo. “Është e qartë se ka edhe më shumë që mund të merren”.

Zyrtarët shëndetësorë amerikanë kanë paralajmëruar që rritja aktuale e vdekjeve dhe infeksioneve të Covid-19 po godet ekskluzivisht komunitetet e pavaksinuara.

Shtëpia e Bardhë ka rritur presionin ndaj kompanive të mediave sociale për të trajtuar çështjen e dezinformimit.

Facebook thotë se po ndërmerr një “veprim agresiv” për të mbrojtur shëndetin publik. Një zëdhënës i rrjetit social, Kevin McAlister, tha se kompania “nuk do të shpërqendrohet nga akuzat të cilat nuk mbështeten në fakte”.

“Ne kemi hequr më shumë se 18 milion dezinformata mbi Covid dhe kemi hequr llogari që vazhdimisht i thyejnë këto rregulla.”- tha kompania në një deklaratë të veçantë.