Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha: Ne s’e veshim kriminelin me kostum për ta futur në Parlament dhe bashki


Gjatë fjalës së tij para Kuvendit Kombëtar të PD-së, Lulzim Basha sulmoi ashpër qeverinë e kryeministrit Edi Rama për lidhjet e tij me persona të inkriminuar.

Basha tha se “Ne nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në parlament dhe bashki”, siç ka bërë qeveria rilindase sipas tij.

 “Jemi ne që luftuam dhe luftojmë kundër kriminalizimit të politikës, dhe sfidës që krimi i organizuar po i bën çdo vlere të shoqërisë tonë me bekimin dhe ortakërinë e Edi Ramës, sepse ne nuk mund të pranojmë kurrë që institucionet publike të përqafojnë një model, që askush nuk do ta pranonte për familjen apo fëmijët e tij.

Ne nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në parlament dhe bashki.

Ne kemi luftuar dhe luftojmë që institucionet e shqiptarëve të jenë të lira nga ndikimi i krimit dhe në shërbim të qytetarëve.

Ne e dimë fare mirë, që kur ky tumor përhapet në indet e një partie politike, metastazat e tij kapin gjithë shtetin, deri në atë pikë sa sot është e qartë për të gjithë pa përjashtim, se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale.”– deklaroi Basha.

Kryedemokrati theksoi se partia e tij hyri në zgjedhjet e 25 prillit me programin më të mirë të hartuar në këto 30 vite. Por sipas tij ishin të pabarabartë me maxhorancën në këtë garë.

“Të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me institutet dhe institucionet prestigjioze të Perëndimit. Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale që e kemi prekur bashkë shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, sipërmarrje në sipërmarrje me të gjitha grupet e interesit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore, me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit, me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi, me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve që u bashkuan për herë të parë ndër vite me përfaqësuesit e tyre në selinë e Partisë Demokratike përmes programit tonë.

Një program i detajuar, me angazhime konkrete, për çdo sektor të shoqërisë, që vendosi gishtin tek plagët e shumta të vendit, që ofronte zgjidhje për të çliruar potencialin e çdo shqiptari, që çlironte dhe zhvillonte potencialin e Shqipërisë, të ndrydhur, të mpakur, të boshatisur, të ngecur në vendnumëro në 8 vite nga një fatkeqësi kombëtare që e quan veten qeveri. Një program që ka në qendër familjen shqiptare, si shtylla e politikave tona; një program që synon forcimin e shtresës së mesme, si motori i zhvillimit dhe i transformimit të shoqërisë, sepse një shtresë e mesme e fortë është garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit.”– tha Basha.