Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytja e shekullit në Gjermani, çfarë nuk shkoi me sistemin e paralajmërimit (PAMJET)


Ndërkohë që numri i vdekjeve rritet, në Gjermani dhe Belgjikë ka pikëpyetje se si mund të ketë ndodhur një fatkeqësi e tillë.

Deri më tani zyrtarisht numërohen 133 viktima në Gjermani dhe 20 në Belgjikë, ndërkohë që mijëra njerëz rezultojnë të zhdukur pasi kanë humbur kontaktet me familjarët.

Në rrethin Ahrëeiler të shkatërruar të Gjermanisë në landin e Rheinland-Pfalzit, rreth 1 mijë e 300 njerëz u raportuan si të zhdukur. Megjithëse autoritetet lokale thonë se kjo mund të jetë edhe për shkak të dëmtimit të rrjeteve telefonike.

Rreth 1 mijë ushtarë janë vendosur në këtë shtet për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit dhe pastrimin e rrënojave në qytetet dhe fshatrat e prekura.

Rrugë dhe shtëpi janë ende nën ujë, makina të përmbysura dhe pemë të shkulura mund të shiheshin kudo ku kishte kaluar uji i përmbytjes, ndërsa disa rrethe janë shkëputur nga bota e jashtme.

Në Ahrëeiler disa shtëpi u shembën plotësisht, duke lënë përshtypjen se qyteti ishte goditur nga një cunami.

Ndërkohë në Belgjikë, ushtria është dërguar në katër nga 10 provincat e vendit për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit dhe evakuimet.

Pse njerëzit u kapën të papërgatitur? Problemi me sistemet e fragmentuara

Përmbytja e ditëve të fundit erdhi pas reshjeve të dendura në një pjesë të Evropës, që bënë që lumenjtë të shpërthenin në brigjet e tyre.

Profesoresha Hannah Cloke, një hidrologe e cila ngriti dhe tani këshillon Sistemin Evropian të Ndërgjegjësimit nga Përmbytjet (një program i BE-së i krijuar për të siguruar paralajmërime të hershme të përmbytjeve të rrezikshme) tha se disa alarme u ishin dërguar autoriteteve në Evropë gjatë fundjavës.

“Kishte sinjalizime… se po vinte një shi shumë serioz dhe përmbytje: kini kujdes. Pas kësaj autoritetet kombëtare marrin informacionin dhe merren me të.”– tha ajo, citon BBC. Profesoresha Cloke tha se kishte vende ku sistemi kishte “bërë atë që është projektuar të bëjë”, me vërejtjet që u morën parasysh.

Por ajo shton se ka pasur “gjithashtu vende ku ato paralajmërime nuk kanë arritur tek njerëzit dhe ata nuk e dinin se do të ndodhte”.

Cloke ia vë fajin sistemeve të ndara të parashikimit të këtyre ngjarjeve.

“Ne nuk duhet ta shohim këtë numër të vdekjeve nga përmbytjet në vitin 2021. Është thjesht e papranueshme. Ka diçka që nuk shkon mirë me sistemin.”

Strukturat aktuale për parashikimin dhe paralajmërimin e përmbytjeve ndryshojnë në të gjithë vendet evropiane.

Prof Cloke thotë se Gjermania ka një sistem “të fragmentuar” që përfshin shumë autoritete të ndryshme në shtete të ndryshme, duke rezultuar në përgjigje të ndryshme. Një zëdhënës i shërbimit të motit gjerman, Deutscher Wetterdienst tha se kishte nxjerrë një numër paralajmërimesh rreth reshjeve ekstreme të shiut. Ai tha se u takonte autoriteteve të tjera të përcaktonin rrezikun e përmbytjes dhe të vepronin në evakuimin e njerëzve, ose marrjen e masave të tjera.

Edhe pse shumë shtete ishin paralajmëruar për përmbytjet dhe autoritetet kishin nisur marrjen e masave kur ende ishte ditë me diell, disa zona nuk ishin paralajmëruar.

Ministria e mjedisit në Rheinland-Pfalz – një nga shtetet më të prekura të Gjermanisë – thotë se paralajmërimet e përmbytjeve bëhen për lumenjtë kryesorë, por që informacioni për degët dhe lumenjtë më të vegjël nuk është aq i detajuar, kështu që përmbytjet nuk mund të parandalohen gjithmonë.

Profesoresha Cloke tha se kishte vende ku njerëzit nuk e dinin që përmbytjet po vinin, ose nuk dinin si të përgjigjeshin për të mbrojtur veten dhe shtëpitë e tyre.

“Ata po e vinin veten në rrezik, po ecnin nëpër ujërat e përmbytjes.”– shpjegoi ajo.