Problemi me ekipin italian të futbollit është se ka shumë italianë në të, argumentoi ‘The Economist’ në një artikull të çuditshëm që lidh fitoren e Italisë në Euro 2020 me fashizmin, racizmin dhe humbjen e multikulturalizmit.
Italia mundi Anglinë 3-2 pas gjuajtjes së 11-metërshave në finalen e Euro 2020, duke fituar Kampionatin Evropian UEFA për herë të parë që nga 1968. Sidoqoftë, ndërsa italianët shpërthyen në festime, disa tifozë të Anglisë të zhgënjyer e kthyen zemërimin e tyre ndaj tre lojtarëve me ngjyrë të ekipit të tyre të cilët humbën goditjet e tyre të penalltisë.
Është shkruar shumë për abuzimin e turpshëm racist që u hodh mbi këta lojtarë, por të nesërmen e finales, edhe pse italianët po sulmoheshin fizikisht në rrugët britanike, ‘The Economist’ arriti të gjente një burim më të errët të racizmit: vetë ekipin italian.
“Aspekti më goditës i skuadrës së re në moshë të Italisë para se të dilte në fushë ishte se, është kombëtarja e vetme mes pretendentëve kryesorë, që nuk kishte në radhët e saj asnjë lojtar me ngjyrë.” – shkruante artikulli i The Economist, duke theksuar: “Megjithëse tre ishin të lindur në Brazil, ata kanë origjinë italiane.”
Se si ekipi i Italisë përfundoi në mënyrë kaq tronditëse plot me italianë, vazhdoi The Economist, shpjegohet nga ligjet e shtetësisë së Italisë. Në parim, shtetësia italiane bazohet në ‘jus sanguinis’ (e drejta e gjakut): ajo kalon nga një prind italian tek një fëmijë italian. Shumë vende në të gjithë botën japin shtetësinë në këtë mënyrë, nga Irlanda në Francë në Japoni. E kundërta, ‘jus soli’ (e drejta e tokës ose shtetësia e parëlindjes), i jep shtetësinë kujtdo që lind në territorin e një kombi. Shtetet e Bashkuara japin shtetësinë në këtë mënyrë.
Gjithsesi, rezultati përfundimtar është që italianët luajnë në ekipin italian. Por ata nuk janë vetëm ndonjë italian, vazhdoi The Economist, ata janë italianë të këqij që ishin ‘ambivalentë’ në lidhje me gjunjëzimin para ndeshjeve – një gjest i çuditshëm i importuar nga SHBA në vazhdën e lëvizjes Black Lives Matter .
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani