Njerëz të armatosur kanë rrëmbyer të paktën 60 njerëz dhe kanë vrarë një person në Nigerinë veriperëndimore.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të premten, ku persona të armatosur u shfaqën hipur mbi motor në pesë fshatra dhe qëlluan në mënyrë sporadike në ajër.
Siç shkruan “Reuters”, Nigeria ka regjistruar një rritje të grabitjeve të armatosura dhe rrëmbimeve për shpërblim, kryesisht në zonat veriperëndimore, ku forcat e sigurisë shpesh nuk arrijnë të ndalojnë rrëmbimet.
Rrëmbimi ndodhi në shtetin Zamfara ku persona të armatosur qëlluan dhe vranë një kryetar fshati.
Katër banorë i thanë “Reuters” se burra të armatosur kishin sulmuar fshatrat në zonën Shinkafi, duke shkaktuar panik dhe kishin rrëmbyer të paktën 60 fshatarë para se të arratiseshin në pyllin aty pranë.
Njerëzit e armatosur, të cilët njihen në vend si banditë dhe kanë shënjestruar gjithnjë e më shumë shkollat, hodhën gjithashtu një raketë që goditi shtëpinë e kryetarit të këshillit lokal.
“Banditët e armatosur erdhën hipur në mbi 70 motoçikleta dhe secila motoçikletë mbante tre persona me armë që shkatërronin pronat dhe rrëmbenin njerëzit.”– tha Junaidu Badarawa, një nga pesë personat që u rrëmbyen, por më vonë u lanë të lirë.