Vendosni fjalën kyçe....

I shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik, arrestohet 22-vjeçari, si përfituan 38 mijë euro


22-vjeçari me iniciale E.K i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Transferta” është arrestuar nga policia.

Më herët u arrestuan edhe 10 persona në sajë të këtij operacioni.

Grupi, sipas policisë ndryshonte të dhënat e përdoruesve në llogari të ndryshme të internetit dhe më pas komunikonin me miqtë e këtyre llogarive duke përfituar shuma monetare.

Nga ky aktivitet grupi llogaritet se ka përfituar deri në 38 mijë euro.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të operacionit policor të koduar “Transferta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, finalizuar me datë 07.07.2020 nga DVP Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 10 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë u bë kapja e shtetasit E. K dhe ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, për shtetasin e shpallur në kërkim E. K., 22 vjeç.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, për një periudhë 1-vjeçare, ka ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.