Vendosni fjalën kyçe....

Kosova rikthen nga Siria 11 shtetas, mes tyre dhe fëmijë


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot kanë kthyer 11 shtetas të Kosovës që ishin nga zonat e konfliktit në Siri.

Një gjë e tillë është njoftuar nga vetë Sveçla, derisa ka bërë të ditur se në mesin e të kthyerve janë një grua dhe disa fëmijë

“Kosova është krenare që është lider global në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Sot, ne kemi kthyer 11 shtetas të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Për gruan dhe fëmijët ministri i Punëve të Brendshme ka kërkuar që t’u ruhet privatësia.

Që nga shpërthimi i konfliktit në Siri dhe Irak, rreth 400 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë, në mesin e tyre, burra, gra dhe fëmijë. Nga ky numër, përgjatë viteve 242 persona u kthyen në Kosovë.

“Kosova është krenare që është lider global në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Sot, ne kemi kthyer 11 shtetas të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri.

Duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in.

Kosova gjithmonë do të jetë shtëpia e qytetarëve të saj.

Ata të cilët kanë kryer krime, këtu apo jashtë, do të ndiqen penalisht.

Gruaja dhe fëmijët që kemi kthyer sot kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë. Ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre. 

Ne nuk do të ndalemi së shërbyeri qytetarëve tanë!”-shkruan Zveçla.