Vendosni fjalën kyçe....

Meta në ‘Ditën e Nelson Mandelës’: Shqipëria e Kosova kanë pasur Mandelat e tyre që u persekutuan për idetë e besimin


Presidenti Meta ka thënë sot se Shqipëria e Kosova kanë pasur ‘Mandelat’ e tyre që janë privuar nga liria e kanë vuajtur pasi janë përndjekur nga regjimet mizore.

Kreu i shtetit përmend në postimin e tij At Zef Pllumin, Pjetër Arbnorin e Adem Demaçin në ditën e Nelson Mandelës.

Meta thekson se të gjithë ata që u persekutuan për shkak të ideve e besimit, mbijetuan për të rrëfyer e për të nxitur shoqërinë për të qenë më tolerante për idetë, besimet e kulturat e njëri-tjetrit.

“Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës na risjell sot në vëmendje veprën dhe trashëgiminë e vlerave të një personaliteti të madh dhe të paharruar, simbol të vuajtjeve në emër dhe për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, i cili frymëzon në çdo kohë me angazhimin dhe përkushtimin e palodhur për paqen dhe pajtimin. Në Shqipëri dhe në Kosovë ne kemi patur At Zef Pllumin, Pjetër Arbnorin, Adem Demaçin dhe mijëra ‘Mandelat’ tanë, të cilët për dekada me radhë u privuan nga liria, vuajtën dhe u përndoqën nga regjime mizore për shkak të ideve dhe besimeve të tyre, por mbijetuan për të na rrëfyer dhe inkurajuar për të qenë më tolerantë për idetë, besimet dhe kulturat e njëri-tjetrit, si dhe gjithmonë syçelët për mbrojtjen e demokracisë dhe pluralizmit.” – shkruan Meta.