Vendosni fjalën kyçe....

Merkel viziton zonat e përmbytura: Jam e tronditur, gjuha gjermane nuk ka fjalë për ta përshkruar


Kancelarja gjermane Angela Merkel është shprehur e tronditur për përmbytjet në vendin e saj të javës së kaluar.

Zonja Merkel vizitoi zonat e prekura të Gjermanisë Perëndimore të Dielën, duke biseduar me të mbijetuarit dhe punonjësit e urgjencës.

Siç shkruan BBC, të paktën 188 njerëz në Gjermani dhe Belgjikë tani dihet se kanë vdekur nga përmbytjet. Shiu i madh po vazhdon të shkaktojë kërdinë, me vëmendjen që po zhvendoset tani në disa pjesë të Austrisë dhe Gjermanisë Jugore.

Ekipet e emergjencës shpëtuan njerëzit nga shtëpitë e tyre të përmbytura në rajonin austriak të Salzburgut. Brigada e zjarrfikësve tha se kryeqyteti Vjena shënoi më shumë reshje në një orë të shtunën në mbrëmje, sesa kishte regjistruar në shtatë javët e mëparshme.

Ndërkohë në Gjermaninë perëndimore, autoritetet thanë që diga Steinbachtal, në jug-perëndim të Bonit, mbetet në rrezik të prishet dhe banorët u evakuuan nga shtëpitë në rrjedhën e poshtme.

Udhëheqësit evropianë kanë fajësuar ndryshimin e klimës për përmbytjet, të cilat kanë prekur gjithashtu Zvicrën, Luksemburgun dhe Holandën.

Ekspertët thonë se ngrohja globale i bën reshjet e rrëmbyeshme më të mundshme. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2C që nga fillimi i epokës industriale. Zonja Merkel tha se bota duhej “të ishte më e shpejtë në betejën kundër ndryshimit të klimës”.

Ajo eci nëpër fshatin Schuld të goditur keq, duke vëzhguar dëmet dhe duke folur me banorët dhe punëtorët e urgjencës. Më vonë ajo u zotua për ndihmë të shpejtë për rindërtimin.

“Ne jemi pranë jush.”– tha ajo, duke e përshkruar situatën si “të tmerrshme”.

“Është tronditëse – pothuajse mund të them se gjuha gjermane nuk ka fjalë për shkatërrimin që është bërë.”- tha Merkel. “Ajo që mund të shihja, sidoqoftë, është gjithashtu tepër ngushëlluese – sesi njerëzit po qëndrojnë së bashku, si po ndihmojnë njëri-tjetrin, solidariteti që është atje.”

Ministri i Financave Olaf Scholz tha se një paketë prej 300 milionë eurosh në ndihmë të menjëhershme do të propozohej në një takim kabineti të mërkurën.

Shkalla e dëmit po bëhet më e qartë, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë viktimat.

Të paktën 157 njerëz tani dihet se kanë vdekur në përmbytjet në Gjermani, përfshirë katër zjarrfikës. Rreth 31 persona të tjerë kanë vdekur në Belgjikë.

Landet e Nordrhein-Westfalen, Rheinland-Pfalz dhe Saarland kanë qenë më të prekurat në Gjermani.