Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka reaguar për përplasjen e bizneseve në Vlorë me Policinë e Shtetit për orarin e kufizimeve.
Meta bën thirrje që institucionet përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë për adresimin e çështjeve që shqetësojnë biznesin.
Meta flet se uniformat blu kanë ushtruar dhunë të pajustifikuar dhe shproporcionale ndaj qytetarve.
“Duke ndjekur me vëmendje dhe vlerësuar situatën shqetësuese të krijuar mbrëmë në Vlorë, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve, që shqetësojnë biznesin, në përputhje me kuadrin ligjor.
Protestat paqësore janë një e drejtë, që garantohet nga Kushtetuta.
Dhuna e pajustifikuar dhe shporporcionale ndaj sipërmarrësve dhe qytetarëve, në veçanti ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme dhe e dënueshme.
Jo arroganca dhe arbitrariteti, por dialogu i sinqertë dhe bashkëpunimi i ofruar nga shteti ofrojnë patjetër mundësi për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme.
Kurrsesi Vlora nuk e meriton një trajtim të tillë!”-shkruan Meta.