Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta Kurt Westergaard, karikaturisti danez i profetit Muhamed që zemëroi myslimanët


Kurt Westergaard, karikaturist danez prapa karikaturës Muhamed, vdes në 86 vjeç

Ndahet nga jeta karikaturisti danez, Kurt Westergaard, i njohur për karikaturat e Profetit Muhamed që zemëruan shumë myslimanë në të gjithë botën.  Ai ishte në moshën 86 vjeç.

Gazeta Berlingske shkruan që familja e tij tha se Westergaard vdiq pas një sëmundje të gjatë.

Kurt Westergaard ishte karikaturist për gazetën konservatore Jyllands-Posten nga fillimi i viteve 1980.

Ai u bë i famshëm në botë në vitin 2005 për përshkrimin e tij të diskutueshëm të Profetit Muhamed në gazetë. Karikatura e Westergaard, e cila tregonte një bombë në formë çallme, ishte një nga 12 karikatura të botuara nga gazeta për të ngritur një çështje në lidhje me vetëcensurimin dhe kritikën ndaj Islamit.

Paraqitjet e Profetit Muhamed konsiderohen gjerësisht si tabu në Islam dhe janë fyese për disa myslimanë. Karikaturat e gazetës nxitën protesta në Danimarkë, ndërsa qeveria mori ankesa nga ambasadorët e vendeve me shumicë myslimane.

Zemërimi arriti kulmin me protesta në të gjithë botën myslimane në shkurt të vitit 2006. Ambasadat daneze u sulmuan dhe dhjetra njerëz vdiqën në këto trazira.

Publikimi i karikaturave ka lënë një trashëgimi të përhershme. Në vitin 2015, 12 njerëz u vranë në një sulm ndaj zyrave të revistës satirike franceze Charlie Hebdo, e cila kishte botuar karikaturat.

Pas publikimit të karikaturave, Westergaard mori kërcënime të shumta me vdekje dhe ishte një shënjestër e atentateve. Ai së pari u fsheh, por më pas vendosi të jetonte hapur në një shtëpi të fortifikuar në Aarhus, qyteti i dytë i Danimarkës.

Në vitin 2008, shërbimi inteligjent danez njoftoi arrestimin e tre personave të cilët u akuzuan për planifikimin e vrasjes së Westergaard. Dy vjet më vonë, policia daneze kapi një 28-vjeçar nga Somalia të armatosur me thikë në shtëpinë e Westergaard. Mohamed Geele, 29 vjeç, u dënua për vrasje në tentativë dhe terrorizëm dhe u burgos për nëntë vjet në 2011-ën.

Siç shkruan BBC, karikaturistit Westergaard iu desh të jetonte me një truprojë në adresa sekrete në vitet e tij të mëvonshme.