Një grua 31-vjeçare është arrestuar në Tiranë, pasi rezultonte e dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, për vjedhje me dhunë.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetases Ina Sulejmani., 31 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar me 3 vite e 4 muaj burg, ku ka për të vuajtur edhe 3 vite e 27 ditë burg, për veprën penale ‘Vjedhja me dhunë’, e kryer në bashkëpunim.”- njoftoi Policia.
Ina Sulejmani është një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2013 u arrestua si pjesë e një grupi kriminal prej 7 personash, që dyshoheshin si autorë të 30 vjedhjeve në Tiranë.
Ky grup merrte automjete me qira pranë zonës së stadiumit Dinamo në kryeqytet, dhe më pas realizonin vjedhje me dhunë të kalimtarëve të sendeve personale e bizhuterive, kryesisht në orët e darkës.
Ata vidhnin edhe makina, të cilat më pas i dërgonin në një servis në Vorë, me qëllim çmontimin e tyre dhe shitjen më pas për pjesë këmbimi.