Nga Flutura Açka
Kur gazetaria është mision në shërbim të lirisë
Në nderim të gazetarit investigativ holandez, Peter R. De Vries
Qysh nga pasditja e 6 korrikut, kur breshëritë e plumbave e “gjunjëzuan” në rrugë, njoftimet për jetën e tij ishin bërë lajmi i studove televizive dhe i rrethit të gazetareve holandezë.
A fitoi sot krimi mbi lirinë në Holandë?
A do të ketë ndonjë valë të re protesash kundër krimit në shoqërinë holandeze pas lamtumirës së De Vries?
Nga nesër Holanda padyshim do të zgjohet ndryshe. Peter R. De Vries u godit nga një largësi jo e madhe në rrugën Lange Leidsedwars të Amserdamit, tek ecte drejt parkimit pas emisionit të radhës në “Bulevard”, një program dedikuar investigimin të krimit në televizionin RTL, ku ai merrte shpesh pjesë.
Me nuhatjen, këmbënguljen dhe profesionalizmin e tij, De Vries kishte hyrë zemër të krimit si askush tjetër, aq sa ishte kthyer në targetin e tij. Miqtë e tij gazetarë thonë për të se De Vres fliste për krimin dhe kriminelët, njëlloj si të ishte duke folur për futbollin apo politikën.
“Si mund të jesh i lirë, nëse gjunjëzohesh!”, thoshte De Vries, duke vendosur kështu edhe motivin e jetës së tij.
Në historinë e medies holandeze, rrallë ka ndodhur që një gazetar investigativ i çështjeve kriminale, t’u shkojë kaq pranë dhe gjer në fund me këmbënguljen dhe kurajën e 64-vjeçarit De Vries.
Ai filloi punën si gazetar investigativ në vitin 1978, por fama e tij nisi kur hetoi dhe botoi në vitin 1987 librin “Rrëmbimi i Alfred Heineken”, një nga çështjet më të mprehta të kohës. Më vonë De Vries është marrë me çështje shumë të bujshme, duke ndihmuar shpesh edhe hetimet zyrtare dhe duke ua ndryshuar rrjedhën shumë ngjarjeve nën hetim me të vërtetat që zbulonte.
Në shumë raste të tjera, ai ka përfaqësuar dëshmitarët nëpër gjyqetshumë të rëndësishme dhe ka shpëtuar nga burgu njerëz të dënuar me pa të drejtë, duke vënë në dyshim edhe drejtësinë holandeze. I shtyrë nga kjo, ai u detyrua të hapte vetë një studio ligjore për të mbështetur kauzat e tij.
Nën okelion e tij është edhe zbulimi që bëri në vitin 2003, se gruaja e ardhshme e princit Friso, zonja Mabel Wisse Smit, kishte lidhje të ngushta me kriminelin Klaas Bruinsma, zbulim për të cilin iu desh të udhëtonte për në Kili. Edhe zbulimi i zhdukjes së turistes amerikane Natalee Holloway në ishullin Aruba, i dedikohet një kamere të fshehtë të tij me kriminelin Joran van der Sloot, regjistrim që e bëri në kabinën e një makine tek udhëtone me tjetrin.
Kush do të kishte guxuar ta bënte këtë, veç një kurajozi si De Vries? Ishte dëshmia e tij dhe mbrojtja që i bëri motrave Astrid dhe Sonja Holleeder, që ato të dëshmonin për të vëllanë e tyre, kriminelin Willem Holleeder, dëshmi që çuan në burgimin e tij të përjetshëm në vitit 2019.
Në një intervistë të kohëve të fundit, ai e pranoi edhe vetë se ishte në listën e zezë të kriminelit Ridoun Taghi. Dhe duket sikur pikësisht kjo çështje, e njohur si “Procesi Marengo”, ia mori edhe jetën. Ndërsa merrej me këtë proces, De Vries u kthye në këshilltarin personal dhe mbrojtësin e dëshmimtarit kryesor të procesit, një çështje që kishe lidhje me porosinë e disa likuidimeve të kryera nga grupi kriminal, edhe pse kreu i tij është në burg.
Grupi kriminal nuk e kurseu vëllain e pafajshëm të dëshmitarit kryesor dhe as avokatin e tij, duke i çuar kështu fjalë gazetarit se kishte ardhur radha e tij.
Pas këtyre likuidimeve, De Vries shpalli publikisht se nuk mund të tërhiqej, se kjo ishte jeta e tij. Madje, me gjithë këshillat e miqve, ai nuk ia lejoi vetes të mbrohej edhe pse e dinte se po rriskonte shumë. “Kjo është zeja jonë, të përballemi dhe të mos fshihemi.”
Më 23 korrik pritet seanca gjyqësore ndaj dy të dyshuarve të drejtpërdrejtë në vrasjen e De Vries, por duket se Omerta (besa mes kriminelëve) nuk do të lejojë dritën të hyjë në skutat e errëta të njerëzimit.
Një gjë është e sigurt: nga nesër shumë gjëra do të ndryshojnë në shoqërinë holandeze; gazetarë të rinj e profesionistë do të mbijnë dhe një valë e re ndjeshmërie kurajoze do të zgjohet. Kjo është një betejë që ka vetëm një fitues: Lirinë.