Reshjet e mëdha të ditës së djeshme në territorin e Kosovës kanë shkaktuar shumë përmbytje.
Siç bëjnë me dije mediet në Kosovë, shirat e dy ditëve të fundit kanë përmbytur disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit – Prishtinës.
Si rrjedhojë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me anë të një njoftimi në Facebook, njoftoi anulimin e një koncerti për shkak të reshjeve. Performanca e Ylli Megit do të realizohet nq një datë tjetër.
Ai gjithashtu njoftoi se programi kulturor në kuadër të Akull n’Verë do të vazhdojë, prandaj u bëri thirrje qytetarëve që t’i ndjekin për të kuptuar programin për netët në vijim.
Gjithashtu një familje në lagjen “Deremhallë” në Komunën e Gjilanit u evakuua nga shtëpia e tyre të shtunën mbrëma, pas rrezikut nga reshjet e dendura në këtë qytet.
Sipas kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, komuna ka bërë ndërhyrje në 25 raste të ndryshme nga 52 thirrje që kanë pranuar institucionet komunale të emergjencave.