Vendosni fjalën kyçe....

Vendosën himnin kombëtar pas orës policore, gjobitet lokali në Vlorë, procedohen tre persona


Policia ka publikuar një komunikatë për shtyp lidhur me protestën e mbrëmjes së kaluar në Lungomare në Vlorë, ku disa biznese vendosën muzikë jashtë orës policore, ndërsa pati edhe të shoqëruar.

Uniformat blu bëjne me dije se është gjobitur me 1 milionë lekë dhe është proceduar penalisht administratori i një subjekti.

Dy të tjerë janë proceduar penalisht pasi kundërshtuan mbylljen e muzikës dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësit të Policisë.

“Në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë kontrolleve kanë konstatuar një subjekt në lagjen ‘Uji i Ftohtë’, i cili vijonte organizimin me muzikë pas orarit të përcaktuar.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht për veprat penale ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë’ dhe ‘Kundërshtimi i punonjësit të policisë’, shtetasit:
K. Xh., banues në Vlorë, administratori i subjektit, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës, duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje;
S. Xh., banues në Tiranë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës;
E. T., banuese në Vlorë, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjithashtu, për subjektin është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.”– thuhet në njoftimin e Policisë.

Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar disa lokale në zonën e Ujit të Ftohtë, në shenjë proteste vendosën himnin kombëtar para dhe pas orës policore. Gruaja e pronarit të një biznesi u shoqërua në komisariat sëbashku me disa persona të tjerë, çka solli një protestë të bizneseve përpara Komisariatit të Vlorës, që kërkonin lirimin e të arrestuarve.