Këtë të hënë do të mbahet takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç në Bruksel.
Ky takim mbahet në kuadër të dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me ndërmjetësim e Bashkimit Evropian.
Ndërsa është nisur drejt Brukselit, Vuçiç është shprehur se “kurrë nuk është e këndshme” të udhëtojë për të biseduar me përfaqësues shqiptarë.
Presidenca serbe ka publikuar një foto të Vuçiçit në avion, e cila shoqërohet me mbishkrimin se sidoqoftë vazhdimi i dialogut është i rëndësishëm për Serbinë.
“Kurrë nuk është veçanërisht e këndshme të udhëtosh ose të qëndrosh në Bruksel kur je duke biseduar me përfaqësues shqiptarë. Sidoqoftë, është e rëndësishme për Serbinë sepse duke vepruar kështu, ne po ndihmojmë njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi, duke ruajtur paqen dhe stabilitetin, të cilat janë të një rëndësie thelbësore për përparimin ekonomik të të gjithë Serbisë. Në avion, si në kohën kur isha student, azhurnoj materialin dhe përgatitem për takime të vështira. Dorëzimi nuk është një opsion!”- thuhet në postimin e Presidencës serbe.