Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurti, të mbajtur në Bruksel në kuadër të dialogut mes dy vendeve dhe siç tha ai, nuk po beson “se njerëzit po kthehen 150 vite prapa dhe po flasin për të kaluarën”, duke iu referuar kryeministrit kosovar.
Ai ka thënë se Kurti e ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide ndaj shqiptarëve. Vuçiç tha nga Brukseli se ka pranuar propozimet e palës ndërmjetësuese për temat e dialogut, ndër to edhe për të pagjeturit e luftës. “Ishin tri pika, të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga gjërat që mund të eskalojnë situatën dhe që dialoguesit të takohen rregullisht”, ka thënë Vuçiç për agjencinë Tanjug, përcjell B92.
Vuçiç ka akuzuar Kurtin se gjatë gjithë kohës ka insistuar për gjëra që nuk kishte pajtim të Serbisë dhe të BE-së.
“Qëndrimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në Kosovë”, tha ai.
“Gjithçka po sillet rreth asaj që të shtyhet Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Njerëzit në BE nuk po besojnë atë që po dëgjojnë. Njeriu u kthye në shekullin XIX. Siç po e shihni, jam i brengosur”, shtoi presidenti i Serbisë.