Vendosni fjalën kyçe....

Amazon i ndërpret shërbimet prodhuesit izraelit NSO Group pas akuzave për spiunazh e pirateri


Amazon është tërhequr nga infrastruktura e shërbime të tjera që i ofroi firmës izraelite të mbikëqyrjes NSO Group, pas akuzave se rrjeti i kompanisë po përdorej për të spiunuar gazetarë dhe aktivistë.

Gjiganti i teknologjisë dhe shitjes me pakicë njoftoi të hënën se kishte çaktivizuar llogaritë kompjuterike ‘cloud’ të lidhura me NSO Group. Kompania izraelite thuhet se përdori Shërbimet e Ueb Amazon (AWS) për të operuar programet e spiunimit që u tregtoi qeverive në të gjithë botën.

Masa vjen pasi Laboratori i Sigurisë i Amnesty International bëri një analizë mjeko-ligjore të telefonave në një listë të shënjestrave të zbuluara për virusin e NSO-së, Pegasus.

Besohet se softueri i mbikëqyrjes dixhitale – i cili thuhet se është i aftë të ketë qasje dhe regjistrim të teksteve, videove, fotove dhe aktivitetit në internet, dhe madje mund të regjistrojë fjalëkalime të përdorura në pajisje – mund të jetë përdorur nga qeveritë e huaja për të spiunuar deri në 50,000 njerëz, përfshirë drejtuesit e biznesit, figurat fetare, akademikë, punëtorët e OJQ-ve, presidentë dhe kryeministra në mbarë botën.

Lista e rrjedhur e spiunimeve të pretenduara të Pegasusit shkon mbpara në vitin 2016 dhe thuhet se ishte përpiluar nga kërkesat nga klientët e NSO-së në 10 vende, Azerbajxhan, Bahrein, Hungari, Indi, Kazakistan, Meksikë, Marok, Ruandë, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Hungaria dhe Maroku kanë mohuar përdorimin e programit për të vëzhguar objektivat brenda ose jashtë vendit.

“Kur mësuam për këtë aktivitet, ne vepruam shpejt për të mbyllur infrastrukturën dhe llogaritë përkatëse,” tha një zëdhënës i AWS.

NSO Group kundërshtoi që AWS kishte mbyllur llogaritë e saj, duke bërë që Amazon të reagonte sërish.

“Ne mbyllëm infrastrukturën e përmendur në këtë raport që u konfirmua se mbështeste veprimtarinë e raportuar të piraterisë, në përputhje me kushtet tona të përdorimit,” përsëriti një zëdhënës i kompanisë.

Analiza e Amnesty për 67 smartphone të pretenduar si shënjestër të Pegasus gjeti prova të infeksionit të suksesshëm në 23 pajisje dhe shenja të tentimit të infiltrimit në 14 të tjerë. OJQ gjithashtu pretendoi se virusi i NSO dërgoi informacione ‘në një shërbim të ruajtur nga Amazon CloudFront, duke sugjeruar që NSO Group ka kaluar në përdorimin e shërbimeve AWS në muajt e fundit’.

Citizen Lab, një grup në Universitetin e Torontos që ka ndjekur Pegaus për vite me radhë, tha në një rishikim kolegjial të gjetjeve të Amnesty se ai kishte ‘vëzhguar në mënyrë të pavarur Grupin NSO që kishte filluar të përdorte gjerësisht shërbimet e Amazon duke përfshirë CloudFront në 2021.

CloudFront është një shërbim Amazon që lejon klientët të sigurojnë të dhëna duke përdorur shpejtësi të larta transferimi.