Vendosni fjalën kyçe....

Mozaiku i Tiranës, gërmime të reja në të vetmin monument arkeologjik të kryeqytetit


Ministria e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj kanë nisur përgatitjet për një procedurë që do të çojë drejt rinisjes së gërmimeve në zonën e Mozaikut të Tiranës, i vetmi monument arkeologjik i kryeqytetit.

Pak kohë më parë në këtë zonë Bashkia e Tiranës nisi punime për rikualifikimin por kompania që po zbatonte projektin u detyra të pezullonte punën pas kërkesës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore pasi në vend u gjetën mbetje të rëndësishme arkeologjike. Ministria në dokumentet e saj parashikon një koncept gërmimi arkeologjik dhe sondazh arkeologjik, në disa zona që i përkasin si pjesës jashtë rrethimit të Mozaikut ashtu edhe brenda rrethimit të Mozaikut.

“Nevoja për kryerjen e gërmimit arkeologjik lind për shkak të evidentimit të potencialit të lartë arkeologjik të sondazheve të realizuara jashtë rrethimit të Mozaikut si dhe faktit që gërmimet arkeologjike të vitit 2008 brenda rrethimit, janë ende të pa përfunduara. Gjithashtu, nisur nga potenciali i evidentuar në pronën me nr. 6/111, ku në sipërfaqe gjendet një sasi e madhe qeramike si dhe gjurmë muresh, u pa e nevojshme kryerja e një sondazhi arkeologjik. Sipërfaqja e përgjithshme në të cilën parashikohen gërmimi arkeologjik dhe sondazhi arkeologjik shkon rreth 815 m², e cila përkon me hapësirën e planifikuar për Fazën 1 dhe Fazën 2.” sqaron ministria.

Sondazhet arkeologjike do të realizohen nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria e Shërbimit arkeologjik në bashkëpunim me DRTK Tiranë. Kurse financimi i gërmimit arkeologjik do të realizohet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë.

Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas Institutit gjetjet e para datuan fillimet e vendbanimit në shek I pas Kr, e cila mendohet të ketë qenë banesë e tipit rural (vila rustica).

Në shek. III vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme.

Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor