Vendosni fjalën kyçe....

Pedro Castillo shpallet zyrtarisht presidenti i Perusë


Pedro Castillo është shpallur presidenti i zgjedhur i Perusë, disa javë pas zgjedhjeve. Autoriteti zgjedhor i vendit njoftoi verdiktin e tij pasi shqyrtoi pretendimet për mashtrim elektoral nga rivalja e tij e krahut të djathtë, Keiko Fujimori.

Castillo, një ish-mësues dhe udhëheqës i sindikatës, siguroi pak më shumë se 50% të votave.

51-vjeçari tani do të betohet si president i Perusë në 28 korrik.

Pasi juria njoftoi verdiktin e saj, Castillo mbajti një fjalim në kryeqytetin e vendit, Lima.

“Ne do të punojmë së bashku dhe do ta bëjmë bashkë këtë vend.”- tha Castillo, citon BBC. “Ne do të hedhim poshtë gjithçka që shkon kundër demokracisë.”

Në një postim, presidenti aktual i Perusë, Francisco Sagasti tha se ai e mirëpriti njoftimin.

“Le të jetë ky fillimi i një faze të re pajtimi, konsensusi dhe uniteti.”- shtoi ai.

Castillo hyri në skenën kombëtare katër vjet më parë kur udhëhoqi mijëra mësues në një grevë të suksesshme mbi pagat.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Castillo u zotua të shtetëzonte sektorët fitimprurës të minierave dhe hidrokarbureve të Perusë dhe tha se ai do të synonte të krijonte një milion vende të reja pune brenda një viti. Ai gjithashtu propozoi rivendosjen e dënimit me vdekje për të ndihmuar në trajtimin e krimit.

Castillo fitoi zgjedhjet e muajit të kaluar me një diferencë prej vetëm 44,000 votash – duke mundur zonjën Fujimori në ofertën e saj të tretë për presidencën.

Zonja Fujimori kishte siguruar pak prova të pretendimeve të saj për zgjedhjet, dhe partia e Castillos i ka hedhur poshtë akuzat. Vëzhguesit e zgjedhjeve, përfshirë Organizatën e Shteteve Amerikane, kanë thënë gjithashtu se nuk kanë gjetur parregullsi.

Përpara njoftimit të së hënës mbrëma, zonja Fujimori tha se ajo do të pranonte rezultatin.

“E vërteta do të dalë gjithsesi.”- shtoi ajo. “Ne të gjithë do të punojmë së bashku për të rivendosur legjitimitetin në vendin tonë.”

Zonja Fujimori është vajza e ish-Presidentit Alberto Fujimori, i cili është në burg duke vuajtur një dënim me 25 vjet për krime, përfshirë korrupsionin dhe abuzimet e të drejtave të njeriut. Vetë zonja Fujimori po hetohet për pretendime të korrupsionit dhe pastrimit të parave, pretendime që ajo thotë se janë të motivuara politikisht. Ajo kaloi gjithsej 13 muaj në burg midis vitit 2018 dhe 2020, kur u la e lirë me kusht.