Vendosni fjalën kyçe....

“Po, absolutisht” – Leli nuk “mban inat”, ia uron Kurban Bajramin edhe Ramës


Kryeministri Edi Rama kohët e fundit e ka kritikuar vazhdimisht bashkinë e Vlorës, madje vetëm pak ditë më parë u fut të pastronte vetë fushat e sportit duke bërë thirrje që ata që janë të ngarkuar me pastrimin, të kryejnë detyrat e tyre.

Por në këtë ditë të rëndësishme për të gjithë besimtarët myslimanë, kryebashkiaku Dritan Leli duket se nuk po i mban inat kryeministrit, të paktën publikisht.

Ai ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

“Dua të uroj rastin nga xhamia në Bulevardin Ismail Qemali, të uroj të gjithë besimtarët gëzuar Kurban Bajramin. Ata që janë nga Vlora, që jetojnë në Vlorë, që kanë ardhur në Vlorë, të uroj ato besimtarë myslimanë që kanë ardhur të pushojnë në Vlorë, për të pushuar, që me siguri ky do jetë sezoni turistik më i i suksesshmi, gëzuar, shëndet, paqe dhe mbarësi.”- tha Leli.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm nëse ia uronte këtë festë edhe kryeministrit Edi Rama, ai tha “absolutisht po”.

Falja e Bajramit në Vlorë është drejtuar nga kreu i Myftinisë së këtij rrethi, Armand Asllani. Në fjalën e tij para besimtarëve u ndal te rëndësia e kësaj feste për mbarë myslimanët dhe kërkoi më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve.

Kujtojmë se krisja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Dritan Leli, nisi pak para zgjedhjeve, pasi ky i fundit refuzoi të linte mandatin dhe të kandidonte për deputet në një vend të pasigurtë në listën e PS-së.