Policia e Shkodrës ka publikuar informacionin zyrtar lidhur me arrestimin e biznesmenit Isuf Isufi. Sikurse bëhet me dije nga uniformat blu, biznesmenit iu gjet një armë të cilën e mbante pa leje si dhe një shumë e konsiderueshme parash që i mbante me vete.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj vijojnë kontrollet e befasishme në kohë dhe vende të ndryshme, me qëllim kapjen e personave me precedent kriminal, personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.
Si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një person qarkullonte në qytet me armë zjarri me vete, shërbimet e Policisë të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ në DVP Shkodër, në vendin e quajtur ‘Lagje Perash’, kanë ndaluar shtetasin I. I., të cilit gjatë kontrollit i gjetën një armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. I., 49 vjeç, banues në lagjen Ajasëm, Shkodër, për veprën penale ‘Armëmbajtja pa leje’. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Kujtojmë se Isuf Isufi është një nga biznesmenët më të njohur në Shkodër, pasi disa vite më parë ka mbajtur edhe pozicionin e zv/presidentit të klubit të Vllaznisë. Ai është vëllai i Hasan Isufit, i cili në Prill të vitit 2020 plagosi një person.