Presidenti i përkohshëm i Malit, Assimi Goita sot ishte në shënjestër të një sulmi me thikë në Xhaminë e Madhe në kryeqytetin Bamako, njoftoi zyra e tij.
“Përpjekje për sulm me thikë kundër presidentit të tranzicionit, kolonel Assimi Goita në Xhaminë e Madhe të Bamakos. Sulmuesi u neutralizua menjëherë nga sigurimi i afërt”, thuhet në deklaratën e Presidencës në Twitter.
“Hetimet janë duke vazhduar”, thuhet në deklaratë.
Sipas “Malijet”, një faqe online e lajmeve, menaxheri i xhamisë, Latus Toure tha se: “Sulmuesi u përpoq të godiste me thikë presidentin por ishte një person tjetër që u godit”.
Sulmi ndodhi ndërsa Mali, një vend kryesisht musliman, po festonte festën muslimane të Kurban Bajramit.
Goita qëndron pas dy puçeve të mëparshme në vendin e tij. Ai veçanërisht rrëzoi Ibrahim Boubacar Keita në gusht 2020 dhe Bah Ndaw në maj 2021.
Ai u betua si “president i procesit të tranzicionit” më 7 qershor dhe mori zyrtarisht detyrën.