Kryeministri Edi Rama ka uruar sot besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Rama ka publikuar pamjet e xhamisë së Ethem Beut në qendër të Tiranës, duke i shoqëruar me tekstin.
“GËZUAR KURBAN BAJRAMIN.”- shkruan kryeministri Rama.
Një urim ka ardhur edhe nga Ambasada e SHBA-ve e cila shpreh përmes një postimi se kjo ditë ofron një mundësi për të reflektuar.
“Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, iu shprehim urimet më të mira të gjithë atyre që festojnë Kurban Bajramin.
Kjo ditë ofron një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin tonë të përbashkët për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata. Eid Mubarak.”- thuhet në mesazhin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe ambasadori Luigi Soreca gjithashtu kanë shprehur urimet e tyre në rrjetet sociale.
Mëngjesin e sotëm besimtarët në Tiranë kremtuan Bajramin duke e falur Namazin në Sheshin Skënderbej, ndryshe nga një vit më parë ku për shkak të pandemisë i kryen ritet e tyre nëpër xhami dhe duke respektuar distancën sociale.