Ka shkuar në 35 numri i viktimave nga sulmi i IS-it në kryeqytetin e Irakut në prag të festës së Bajramit.
Sulmi ndodhi të hënën në një treg të mbushur me njerëz në Bagdat, ku besimtarët po bënin pazaret e fundit në prag të festës së Kurban Bajramit.
Pjesë të trupit të viktimave u shpërndanë nëpër treg, ndërsa dhjetëra njerëz mbetën të plagosur. Al Jazeera shkruan se janë më shumë se 60 njerëz të plagosur. Numri i të vdekurve mund të rritet pasi disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike. Gra dhe fëmijë gjenden mes viktimave.
Si pasojë e shpërthimit me bombë u dogjën gjithashtu disa dyqane. Sulmi ndodhi në tregun Ëahailat në Sadr City, tha ushtria e Irakut në një deklaratë.
Pamjet në video të shpërndara në mediat sociale pas shpërthimit treguan viktimat të përgjakura dhe njerëz që ulërinin nga terrori.
Në një mesazh të postuar në kanalin e vet në Telegram, grupi i armatosur ISIL (ISIS) mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se një nga luftëtarët e tij shpërtheu jelekun e tij ndërsa gjendej mes turmës.
Presidenti irakian Barham Salih e quajti bombardimin si një “krim të rëndë” dhe i dha ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave.
“Ata po vënë në shënjestër civilët tanë në Sadr City në prag të Bajramit.”- tha Salih në një mesazh në Twitter. “Ata nuk i lejojnë njerëzit të gëzohen, qoftë edhe për një moment.”
“Është një natë e trishtuar Bajrami në Irak.”- tha Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. “Simpatitë tona më të thella dhe ngushëllimet tona të sinqerta për ata që humbën të dashurit e tyre.”
Kjo është hera e tretë për këtë vit që një bombë godet tregun në lagjen e populluar.