Vendosni fjalën kyçe....

La makinën me drogë buzë autostradës dhe ia mbathi në këmbë, helikopterët e policisë në Britani s’e lënë shqiptarin të arratiset


Një 27 –vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia britanike në Boroughbridge, pasi ishte akuzuar nga gjykata për posedim droge dhe prodhim kanabisi.

Siç shkruajnë mediet britanike, Esmerald Xhafa e la automjetin me drogë në një fushë në anë të autostradës dhe ia futi në këmbë për t’u arratisur. Prokurori Eddison Flint tha se kishin kërkuar një helikopter për ta gjetur atë.

Policia gjeti dy kuti kartoni që përmbajnë më shumë se 15 kg kanabis në mjetin tip “BMW” dhe 273 dollarë në kesh, si dhe një “listë emrash të shkruar me dorë”.

I riu shqiptar u mor në paraburgim, por refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të policisë, duke treguar vetëm se ai jetonte në Sheffield.

Adresa e tij e shtëpisë u kontrollua nga policia e cila gjeti 56 bimë kanabisi që rriteshin në papafingon e tij.

Ai fillimisht i mohoi akuzat ndaj tij, por disa javë përpara gjyqit pranoi se ishte fajtor dhe u paraqit në gjyqin “online” më 19 korrik për të pritur dënimin, ndihmuar nga një përkthyes shqiptar.

Avokati Chris Moran, tha se klienti i tij kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar “për të bërë një jetë më të mirë për veten dhe familjen e tij”.

“Dhe, për këtë arsye, u gjend në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë me një bandë të organizuar-kriminale.”- shtoi avokati.

Ai tha se Xhafa mendonte se nëse do të përpiqej të largohej nga banda, ai do të kishte qenë në “rrezik”. Pas të gjitha dëshmive, gjykatësi Simon Hickey vendosi ta dënojë shqiptarin me 28 muaj burg.