Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu u kërkon izraelitëve të mos blejnë akulloren e kompanisë që ndaloi shitjet në territorin e pushtuar palestinez

Ish-kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u ka thënë izraelitëve ‘ të mos e blejnë akulloren Ben & Jerry, pasi kompania amerikane njoftoi se do të ndalonte shitjen e produkteve të saj në territoret e pushtuara palestineze.

Në një deklaratë të hënën, Ben & Jerry deklaroi, “Ne besojmë se është në kundërshtim me vlerat tona që akullorja e Ben & Jerry të shitet në territorin e pushtuar palestinez (OPT).”

Kompania zbuloi se megjithëse ka një ‘partneritet të gjatë’ me një kompani të licencuar  që prodhon akulloren e Ben & Jerry në Izrael dhe e shpërndan atë në rajon, ajo nuk do e rinovojë marrëveshjen kur të skadojë në fund të vitit të ardhshëm.

Pavarësisht kësaj, Ben & Jerry do të ‘qëndrojë në Izrael përmes një marrëveshje tjetër’, me tërheqjen e shitjeve që ndodhin vetëm në zonat që konsiderohen të pushtuara nga Izraeli, të tilla si Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës.

Megjithëse duket se akullorja ikonike e Ben & Jerry do të jetë akoma në dispozicion për Izraelitët në pjesën më të madhe të rajonit, Netanyahu protestoi kundër vendimit në Twitter, duke shkruar, “Tani ne Izraelitët e dimë cilën akullore nuk do e blejmë”.

Dega izraelite e Ben & Jerry gjithashtu kritikoi njoftimin, duke e quajtur atë ‘një veprim të paparë nga Unilever’, kompania mëmë e markës. Dega izraelite e gjigantit të akullores shtoi se ‘akullorja nuk është pjesë e politikës’ dhe i bëri thirrje qeverisë izraelite dhe publikut ‘të mos lejojnë që Izraeli të bojkotohet’.

Në deklaratën e vet, Unilever tha se konflikti Izrael-Palestinë është një ‘situatë shumë e ndërlikuar dhe e ndjeshme’, por shtoi se mbetet ‘plotësisht e përkushtuar’ për praninë e saj në Izrael.