Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëgjesa e radhës mbahet në shtator

Gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou, ka propozuar që konferenca e ardhshme për ecurinë e çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit të zhvillohet më 13 ose 14 shtator.

Me këtë propozim janë pajtuar edhe Prokuroria edhe avokatët mbrojtës.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou kërkoi që Zyra e Prokurorit të Specializuar të tregojë nëse qëndron ende muaji tetor, si afat për dorëzimin e dosjes paraprake dhe se në cilën fazë të hetimeve është prokuroria.

Nga ZPS-ja thanë se nuk kanë datë për nisjen e gjyqit dhe se hetimet “do të vazhdojnë për të ardhmen e parashikueshme”, duke shtuar se hetimet janë në një fazë të avancuar.

Mbrojtja tha se prokuroria nuk mund të bëjë hetime të pafundme dhe shtoi se derisa të marrin të gjitha materialet e nxjerra nga ZPS-ja, nuk mund të ndërtojnë mbrojtjen e tyre.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.