Vendosni fjalën kyçe....

Rrëmbehet dhe vritet aktivistja në Meksikë e cila kishte muaj që kërkonte bashkëshortin e zhdukur


Një aktiviste e cila i kaloi shtatë muajt e fundit duke kërkuar burrin e saj të zhdukur, u rrëmbye dhe u vra në Meksikë javën e kaluar.

Siç bëjnë me dije mediet në Meksikë, 28-vjeçarja Gladys Aranza Ramos Gurrola, u rrëmbye nga shtëpia e saj dhe u qëllua për vdekje. Ajo kishte qenë në kërkim të burrit të saj, Brayan Omar Celaya Alvarado, që kur ai u zhduk në dhjetor të vitit 2020. Çifti kishte një fëmijë 1 vjeç.

Ramos ishte një anëtare e grupit “Madres Buscadoras”, ose “Nënat në kërkim”. Ky është një grup prej rreth 1,200 personash që kanë ndërmarrë përsipër kërkimin për viktimat e zhdukura të karteleve të drogës në mungesë të përpjekjeve zyrtare. Kolektivi zbuloi 19 varre klandestine në Guaymas në janar të këtij viti dhe ka zbuluar gjithsej rreth 500 trupa në 300 varre. Po ashtu ky grup ka kthyer rreth 300 njerëz të gjallë në familjet e tyre që kur u formua në vitin 2019.

Grupi tha se Ramos ishte përfshirë në një kërkim pasi kishte zbuluar të enjten “disa krematoriume klandestine, disa akoma me prush dhe tym në kohën e zbulimit”.

Në postimin e saj të fundit në rrjetet sociale, Ramos u lut për informacion në lidhje me vendndodhjen e burrit të saj. “Ju lutem, nëse e dini se ku është, më tregoni, unë thjesht dua të kem pak paqe. Kanë kaluar shtatë muaj e tetë ditë pa dëgjuar prej tij, dhe nuk mendoj se mund të vazhdoj më.”– shkroi ajo.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit e përshkroi Ramos si “gjithmonë e guximshme, aktive, entuziaste dhe solidarizuese” në kërkimet e grupit. Prokuroria deklaroi se do të sillte para drejtësisë “frikacakët” përgjegjës për vrasjen.

Kolektivi i kërkimit bëri një postim pas vrasjes së Ramos në mediat sociale. “Një person i madh, mëkati i vetëm i të cilit ishte të donte burrin e saj me gjithë shpirt, të cilin ajo e ka kërkuar pa pushim që kur ai u zhduk. Pse ta vrasim? Çfarë krimi bëri ajo? Ajo nuk po kërkonte fajtorët ose drejtësinë; ajo thjesht po kërkonte paqe dhe të gjente një vend dinjitoz për dashurinë e jetës së saj, babanë e vajzës së saj. ”

Deklarata shtonte: “Ne jemi të zemëruara dhe kemi dhimbje që ne që jemi duke kërkuar, rrezikojmë të vritemi.”

Drejtuesja e grupit, Ceci Patricia Flores Armenta, tha se ndaj saj ishin rritur kërcënimet nga profile të rreme në mediat sociale që nga vrasja e Ramos. Mesazhet i thonë asaj të “kujdeset” për veten.

“Tani që Aranza është vrarë, ne kemi frikë … sepse ajo ishte kërcënuar gjithashtu … Fatkeqësisht tani ne vajtojmë për vdekjen e saj.”– tha ajo.