Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-të dhe Gjermania arrijnë akordin për Nord Stream 2

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania arritën marrëveshje që do të lejojë përfundimin e tubacionit të gazit rus në Evropë, Rrjedha e Veriut 2, pa sanksione të mëtejshme nga SHBA-ja.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, i tha Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë se qeveritë e dy vendeve do të dalin me detajet e paktit.

SHBA-ja e ka kundërshtuar fuqishëm tubacionin, ashtu si edhe Ukraina dhe Polonia, të cilat druajnë se ai do të dëmtojë sigurinë evropiane të energjisë.

Sipas Uashingtonit, tubacioni do ta rrisë varësinë e kontinentit evropian nga gazi rus dhe do t’i mundësojë Moskës të rrisë presionin politik mbi Poloninë dhe Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë po ashtu kanë thënë se tubacioni mund ta privojë Ukrainën nga tarifat e tranzitit, të cilat i mbledh nga tubacionet që kalojnë në territorin e saj.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një takim me presidentin amerikan, Joe Biden, javën e kaluar, ka thënë se Rrjedha e Veriut 2 “nuk është projekt për të zëvendësuar ndonjë lloj tranziti përmes Ukrainës”.

Uashingtoni ka vendosur sanksione vetëm ndaj ndërmarrjes ruse KVT-RUS, e cila ka marrë pjesë në ndërtimin e tubacionit, dhe ka kërcënuar Gjermaninë me sanksione të mundshme.

Por, Biden ka thënë më vonë se sanksionet ndaj Gjermanisë do t’i dëmtonin marrëdhëniet me aleatët evropianë.

Nuland tha se SHBA-ja dhe Gjermania janë zotuar se do të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe kompanive gjermane, nëse Moska e përdor tubacionin si armë politike.