Vendosni fjalën kyçe....

Dy atlete humbin Lojërat Olimpike për shkak të Covidit, dolën pozitive sapo mbërritën në Tokio


Dy atletët e parë janë detyruar të tërhiqen nga Lojërat Olimpike të Tokios, për shkak se kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.

Bëhet fjalë për dy gra: Fernanda Aguirre, një sportiste e taekwondo-s nga Kili si dhe Candy Jacobs, një sportiste nga Holanda e cila garon në skateboard. Të dyja kanë rezultuar pozitive pasi mbërritën në Tokio këtë javë.

Të dyja atletet tani duhet të përfundojnë karantinën e detyrueshme 10-ditore, që do të thotë se Aguirre nuk do të jetë në gjendje të garojë të dielën ndërsa Jacobs do të humbasë garën e saj të hënën. Të dyja reaguan në rrjetet sociale, duke thënë se janë “zemërthyer” që nuk do mund të garojnë.

Fernanda Aguirre

Candy Jacobs

Tre atletë të tjerë kanë rezultuar pozitivë: futbollistët e Afrikës së Jugut Thabiso Monyane dhe Kamohelo Mahlatsi si dhe lojtari çek i volejbollit Ondrej Perusic. Por këta të tre ende mund të garojnë teorikisht sapo të përfundojnë karantinën.

Siç shkruan “Daily Mail”, një total prej 79 rastesh me Covid-19 janë zbuluar deri më tani lidhur me Lojërat Olimpike të Tokios. Këtu përfshihen atletë, trajnerë, vullnetarë dhe pjesëtarë të stafit.

Infeksionet u zbuluan pasi OBSH paralajmëroi se Lojërat “në mënyrë të pashmangshme” mbartin një rrezik infeksioni, edhe pse organizatorët e Tokios mburren me regjimet e sigurisë në vend duke përfshirë distancimin social, kontrollet e temperaturës dhe testet e Covid-19.