Vendosni fjalën kyçe....

Kroacia shtrëngon masat e pandemisë nga java e ardhshme


Në seancën e Qeverisë së Kroacisë tema kryesore ishte sërish epidemia e koronavirusit në kulmin e sezonit turistik në Adriatik dhe masa të reja më të rrepta epidemiologjike që parashikojnë kontroll më rigoroz mbi tubimet dhe aktivitetet më të mëdha si dhe hyrjen e qytetarëve nga vendet të cilat shënojnë rritje të numrit të rasteve.

“Në tre javët e kaluara, Kroacia ka shënuar ndërmjet 500 deri në 600 raste me COVID-19 në javë ndërsa javën e kaluar ka pasur një rritje të konsiderueshme prej 871 raste”, tha kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç.

Ai vuri në dukje se 1.6 milionë qytetarë u vaksinuan me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 dje dhe se përqindja e personave të vaksinuar po i afrohet numrit të përgjithshëm prej 48 për qind të të rriturve në Kroaci.

“Nga 100 të shtruar në spital, 94 persona nuk ishin vaksinuar. Kushdo që zgjedh të mos vaksinohet e vë veten në rrezik që mund të përfundojë në mënyrë fatale. Prandaj, të vaksinohemi tani dhe të mos e presim vjeshtën të mbrohemi nga shpërthimi i valës së katërt të mundshme”, tha Plenkoviç.

Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Berosh tha se sot në ditën e 514-të të shfaqjes së koronavirusit në Kroaci janë regjistruar 179 raste të reja të infeksionit dhe se përqindja e të prekurve nga virusi në numrin e përgjithshëm të të testuarve në 24 orët e fundit ishte 4.56 për qind.

“Fatkeqësisht, numri i të infektuarve po rritet. Rritja e rasteve pozitive në shtatë ditët e fundit është 46.1 për qind. Jemi dëshmitarë të një përhapje jashtëzakonisht me lehtësi të variantit të ri të virusit”, tha Berosh duke shtuar se: “Teoritë e konspiracionit në lidhje me rreziqet e vaksinave, të tilla si instalimi i çipave dhe krijimi i fushave magnetike, i përkasin zhanrit të fantashkencës dhe nuk duhet të jenë pjesë e imazhit të mediave publike”.

Ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviç njoftoi një shtrëngim të mëtejshëm të masave për hyrjen e shtetasve nga vendet e treta me shkallë të lartë të incidencës të tilla si Britania e Madhe dhe Rusia ndërsa masat e reja epidemiologjike do të zbatohen nga e hëna, 26 korrik për të kontrolluar më mirë COVID-19 në kulmin e sezonit turistik.

“Një nga shtrëngimet do të jetë mosdhënia e pëlqimit për tubime dhe aktivitete që janë në aspektin epidemiologjik të vështira për t’u kontrolluar”, theksoi mistri Bozhinoviç.