Presidenti francez Emmanuel Macron e ka ndërruar telefonin e tij mobil dhe numrin e telefonit pas skandalit të spiunazhit me softuerin Pegasus.
Kështu ka bërë të ditur një zyrtar të enjten duke bërë publik njërin ndër veprimet e para konkrete në lidhje me skandalin.
“Ai i ka disa numra të telefonit. Kjo nuk do të thotë se është spinuar. Është vetëm siguri shtesë”, tha ai për Reuters.
Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal tha se protokollet e sigurisë së presidentit po adaptohen pas incidentit me Pegasus.
Një reagim botëror u nxit pasi disa media ndërkombëtare raportuan se softueri Pegasus u përdor për të hakuar telefonat e mençur të gazetarëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe zyrtarëve shtetërorë në disa shtete.
Gazeta Le Monde dhe transmetuesi Radio Franca kanë raportuar të martën se telefoni i presidentit Macron ishte në listën e synimeve potenciale për përgjime nga Maroku. Dy mediat thanë se nuk kanë pasur qasje në telefonin e Macronit dhe nuk kanë mundur të verifikojnë nëse ai është spiunuar.
Në anën tjetër, Maroku i ka mohuar këto pretendime.
Një hetim i kryer nga 17 mediume – përfshirë Le Monde – i publikuar më 18 korrik, ka krijuar lidhje në mes të kompanisë NSO, e akuzuar për furnizim të qeverive me këtë softuer, me një databazë me mbi 50,000 numra telefonash, që besohet se janë identifikuar si persona me interes nga klientët e kompanisë, prej vitit 2016.
Kompania NSO ka pasur klientë Qeveritë e Azerbajxhanit, Bahrejnit, Hungarisë, Inidisë, Indonezisë, Kazakistanit, Meksikës, Monakos, Ruandës, Arabisë Saudite, Togos dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, është thënë në hulumtim.