Vendosni fjalën kyçe....

Mbajtën si skllave në shtëpi të moshuarën për 8 vite, dënohen me 14 vjet burg çifti në Australi


Një çift që mbajti një gjyshe indiane si skllave shtëpie për tetë vjet është burgosur nga një gjykatë në Melburn, me kryetarin e trupit gjykues që shpreh habinë për mungesën e pendimit të palës për krimin e tyre të rëndë.

Kumuthini Kannan, 53, u dënua me tetë vjet burg nga Gjykata e Lartë në Victoria, ndërsa burri i saj, Kandasamy, 57, do të kalojë gjashtë vjet pas hekurave.

Ai mori një dënim më të lehtë sepse gjykata vendosi që ai vuante nga një karakter i dobët dhe ishte dominuar nga gruaja e tij. Z. Kannan do të kualifikohet për lirim me kusht në tre vjet, dhe gruaja e tij mund të aplikojë për lirim të parakohshëm pasi të ketë vuajtur gjysmën e dënimit.

Në prill, çifti u gjet fajtor për burgosjen e një gruaje 66-vjeçare nga Tamil Nadu, Indi, në shtëpinë e tyre, duke i paguar asaj vetëm 3,36 dollarë australianë në ditë për të qenë shërbëtorja e tyre 24 orë.

Gjyshja kishte udhëtuar nga India në Australi për të qëndruar në rezidencën e Kannans në korrik 2007, duke besuar se ishte punësuar për t’u kujdesur për fëmijët e çiftit. Në vend të kësaj, ajo u mbajt si skllave dhe u torturua sepse nuk iu bind urdhrave.

Viktima e moshuar i tha gjykatës se çifti e kishte rrahur një herë me një pulë të ngrirë, e kishte detyruar atë të punonte deri në 23 orë në ditë dhe do të hidhte ujë të nxehtë në kokë nëse do të flinte pa leje. Skllavërimi i saj zgjati për tetë vjet dhe u zbulua vetëm pasi ajo kërkoi trajtim urgjent mjekësor.

Ajo u shtrua në spital në korrik 2015, pasi u gjet e kequshqyer, me diabet të patrajtuar dhe me peshë vetëm 40 kg.

Avokatët e dyshes së dënuar burrë e grua u përpoqën të kundërshtojnë dënimin. Ata kishin kërkuar në disa raste të vonojnë p çështjen gjatë gjashtë viteve të fundit sepse tre fëmijët e Kannans janë autikë dhe u gjykua se kërkonin kujdesin e prindërve të tyre.

Gjatë dënimit, gjykatësi John Champion e kritikoi çiftin për sjelljen e tyre ‘të pamëshirshme’ e ‘të pashpirt’, duke vërejtur se ata nuk treguan pendim për ‘krimin e tyre kundër njerëzimit’. Viktima u nxorr nga spitali në tetor 2015 dhe u vendos nën kujdesin e një shtëpie të moshuarish, ku aktualisht qëndron.