Vendosni fjalën kyçe....

“Me shumë gjasa do e pranojmë përsëri” – Bitcoin rritet me 6% pas deklaratës së Elon Musk


Elon Musk ka deklaruar se kompania e tij e prodhimit të automjeteve elektrike “Tesla” mund të fillojë të lejojë klientët të paguajnë me kriptovalutë, pasi Bitcoin të jetë më i qartë me përdorimin e energjisë.

E menjëherë pas kësaj, siç shkruan BBC, Bitcoin ka kapërcyer shumën 30,000 dollarë.

Kujtojmë se Musk tha në muajin maj se nuk do të pranonte më kriptovalutën për blerje. Ai përdori si argument shqetësimin mbi ndikimin mjedisor të minierave të Bitcoin, që përdorin sasi të mëdha të energjisë elektrike. Këtë tërheqje nga kriptomonedha Musk e bëri më pak se dy muaj pasi kompania e tij kishte filluar ta pranonte monedhën më të madhe dixhitale në botë si pagesë.

Por të mërkurën, në një konferencë Musk tha se:”Me shumë gjasë përgjigjja është se Tesla do të rifillojë të pranojë Bitcoin”.

Musk tha se kishte qenë duke hetuar përdorimin e karburantit fosil në minierat e Bitcoin: “Unë doja pak më shumë kujdes për të konfirmuar që përqindja e përdorimit të energjisë së rinovueshme është rreth ose mbi 50%, dhe se ekziston një trend drejt rritjes së atij numri. E nëse është kështu Tesla do të rifillojë ta pranojë Bitcoin.”

Pas komenteve të tij, Bitcoin u rrit me 6% në 31,952 dollarë ndërsa Ethereum me 10,6% në 1,979 dollarë.

Duke qenë se miniera e Bitcoin përdor sasi të mëdha të energjisë elektrike, janë ngritur shqetësime nëse energjia vjen nga karburantet fosile apo burime të rinovueshme. Dhe për aktivistët e ndryshimeve klimatike dhe ambjentalistët, kjo ka qenë arsyeja kryesore e mosaprovimit të kriptomonedhës.

Miniera Bitcoin është procesi me të cilin kriptomonedhat e reja futen në qarkullim, por është gjithashtu një komponent kritik i mirëmbajtjes dhe i zhvillimit. Kjo kryhet duke përdorur kompjutera shumë të sofistikuar që zgjidhin probleme matematikore jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe që kërkojnë shumë energji elektrike.