Vendosni fjalën kyçe....

Rama prezanton rubrikat e reja të Komisariatit Dixhital: Me një klik mund të monitoroni reagimin e Policisë ndaj ankesës tuaj


Janë bërë disa ndryshimet e reja në aplikacionin “Komisariati Dixhital”, të cilat kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ti prezantojë këtë mëngjes përmes një videoje në “Facebook”.

Policia e Shtetit ka zgjedhur që të hapë një kategori në aplikacionin Komisariati Dixhital për dhunën në familje, për t’i dhënë mundësi denoncuesit, që të komunikojë online me operatorin e sallës. Një tjetër rubrikë që i është shtuar është edhe “Krimi Mjedisor”.

Kryeministri Rama thotë se qytetarët kanë mundësi të monitorojnë reagimin e Policisë së Shtetit ndaj kërkesës së tyre, e kjo bëhet vetëm me një “klik” nga smartfoni ose kompjuteri.

“MIRËMËNGJES

dhe me Komisariatin e Ri Dixhital, ku është zgjeruar hapësira për veprim e qytetarëve, të cilët ndër të tjera mund të monitorojnë edhe reagimin e Policisë së Shtetit ndaj ankesës a kërkesës së tyre, vetëm me një klik nga smartfoni ose kompjuteri, ju uroj një ditë të mbarë.”- shkruan Rama.

Në video jepen detaje se si funksionon ky aplikacion që ka 8 rubrika në total, ku denoncuesve do t’u kthehen përgjigje të personalizuara dhe që sipas Policisë, do t’u ruhet anonimati.