Vendosni fjalën kyçe....

Rrezikojnë jetën pas defektit të skafit, shpëtohen tetë persona në Karaburun (Video)

 

Tetë turistë, skafi i të cilëve pësoi defekt në Vlorë, janë shpëtuar nga policia.

Sipas kësaj të fundit, mjeti detar pësoi defekt në motor pranë shpellës së ‘Haxhi Aliut’ në Karaburun duke rrezikuar jetën e tetë personave që ndodheshin në bord.

Ata janë transportuar në vend të sigurt e janë në gjendje të mirë shëndetësore ndërsa skafi është shoqëruar në Triport.

Njoftimi

“Policia Kufitare u vjen në ndihmë 8 shtetasve, të cilët rrezikuan jetën në det, me një mjet lundrues. Turistët kishin dalë për lundrim në Karaburun me një mjet tip skaf, por skafi ka pësuar defekt në motor, duke rrezikuar jetën e tyre. Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare Triport, kanë shkuar në kohë në drejtim të adresës së dhënë dhe pas kërkimeve në det, në vendin e quajtur “Shpella e Haxhi Aliut”, Karaburun, kanë gjetur mjetin lundrues tip skaf, së bashku me 7 turistët dhe kapitenin, të cilët ndodheshin në bordin e mjetit lundrues.

Personat janë transportuar në “Shën Jan”, Karaburun dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë mjeti i tyre lundrues është transportuar nga Policia në Triport. Policia e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve duke krijuar një ambient sa më të sigurt dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.”