Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i OBSH-së: Priten lloje shumë më të rrezikshme Covid-19 se Delta: Mund të kthehemi në pikën zero

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), paralajmëroi se njerëzimi së shpejti mund të shohë një kulm të një mutacioni edhe më ngjitës dhe të rrezikshëm të koronavirusit sesa lloji i tanishëm, Delta.

“Sa më shumë transmetim, aq më shumë variante do të shfaqen me potencialin për të qenë edhe më të rrezikshëm se lloji Delta që po shkakton një shkatërrim të tillë tani. Dhe sa më shumë variante, aq më të larta janë gjasat që një prej tyre të shmangë vaksinat dhe të na kthejë të gjithëve në pikën fillestare”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus në sesionin e 138-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Pavarësisht shpikjes dhe shpërndarjes së vaksinave në të gjithë globin, si dhe masave të tjera parandaluese për të përmbajtur pandeminë, bota është në prag të një vale tjetër koronavirusi, vuri në dukje Ghebreyesus, duke renditur midis arsyeve mungesën e qasjes së barabartë në vaksina.

Për një kthesë, është jetike të arrihen disa objektiva, të cilat ishin përshkruar më parë nga OBSH së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe Organizatën Botërore të Tregtisë, sipas Ghebreyesus. Qëllimet përfshijnë vaksinimin e të paktën 10% të popullsisë së çdo vendi deri në shtator, të paktën 40% deri në fund të vitit 2021 dhe 70% deri në mes të vitit 2022.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani