Vendosni fjalën kyçe....

CIA punëson ‘gjuetarin’ e Bin Laden për të hetuar sindromën misterioze ‘Havana’që ka goditur mbi 200 spiunë e diplomatë  – Raporti


CIA ka ngarkuar një oficer të përfshirë në kërkimin për dekada të Osama Bin Laden për të hetuar të ashtuquajturën ‘sindroma Havana’ që prek spiunët dhe diplomatët amerikanë jashtë shtetit, raportoi Ëall Street Journal.

Drejtori i CIA-s, William Burns, kohët e fundit zgjodhi oficerin e inteligjencës, i cili nuk është identifikuar, për të drejtuar një ekip për të hetuar simptomat e pashpjegueshme, njoftoi gazeta të mërkurën, duke cituar “zyrtarë aktualë dhe ish-të njohur me çështjen’.

Agjencia njoftohet se e ngriti Task Forcën në shkurt, ndërsa një nismë e veçantë e Departamentit të Shtetit gjithashtu u zhvillua në mars, e udhëhequr nga Pamela Spratlen, një ish-ambasadore në Kirgistan dhe Uzbekistan midis 2011 dhe 2018.

Një numër vëzhguesish online gjetën ironi në emërimin e ri, duke kujtuar se kërkimi për kreun e Al-Kaedës zgjati mbi një dekadë, pas pushtimit të Afganistanit nga SHBA në vitin 2001.

Bin Laden përfundimisht u vra në vitin 2011 në një fshat në veri të kryeqytetit të Pakistanit, pasi ishte larguar nga Afganistani në ditët e para të luftës së Afganistanit, e cila vazhdoi edhe për 20 vjet të tjera. Sipas gazetarit Seymour Hersh, vendndodhja e tij ishte njohur prej kohësh nga inteligjenca pakistaneze, e cila punon ngushtë me komunitetin amerikan të inteligjencës.

Ndërsa shkaku i saj mbetet i panjohur, ‘sindroma Havana’ ka prekur deri në 200 amerikanë që kur u zbulua për herë të parë në Ambasadën e SHBA në Kubë në vitin 2016, pretenduan zyrtarët amerikanë të martën. Ata thanë se gati gjysma e rasteve të raportuara kishin të bënin me oficerë të CIA-s ose të afërm të tyre, ndërsa të tjerat ishin të ndara midis personelit të Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit. Një sërë simptomash janë lidhur me sëmundjen, duke përfshirë marramendje, probleme njohëse, të përziera, lodhje dhe dhimbje koke të forta.

Dhjetorin e kaluar, një panel në Akademinë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë arriti në përfundimin se një pajisje ‘energjie e drejtuar, me frekuencë radio (RF) radio’ ishte përgjegjësja e mundshme për sëmundjen misterioze. Sidoqoftë, ekspertë të tjerë kanë shprehur dyshime në lidhje me hipotezën e ‘energjisë së drejtuar’, përfshirë Cheryl Rofer, e cila punoi si kimiste në Laboratorin Kombëtar të Los Alamos për gati katër dekada.

Teori të tjera gjithashtu janë hedhur në qarkullim. Ndërsa Associated Press lëshoi ​​një audio në vitin 2017 me një tingull që pretendohej të ishte një ‘sulm zëri’ ndaj diplomatëve amerikanë në Kubë, një grup ekspertësh shqyrtuan regjistrimin dhe përcaktuan se kjo ishte thuajse e pamundur. Neurologët të cilët folën me ‘The Guardian’ sugjeruan që ‘histeria masive’ mund të shpjegojë sindromën Havana, duke thënë se simptomat mund të jenë psikosomatike, sesa rezultat i një arme të përparuar.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani