Vendosni fjalën kyçe....

Mashtrimi 4 milionë euro, prokuroria, QKB-ja e SHISH-i


Nga Aranita Brahaj

Mashtrimi 4 milionë euro, krim kibernetik a mashtrim i mundësuar nga institucionet

Në QKB, në 2 vjet, 4 shtetas shqiptarë dhe të huaj, dublikuan me prapashtesa teknike mbi 23 emra të famshëm biznesi.

Prokuroria a po heton një mosveprim nga Institucioni?

Dje u prezantua një nga operacionet më të bukura të Prokurorisë së Tiranës pas një dëmi ekonomik prej 4 milionë eurosh, dëm që mund të ishte shmangur nëse punonjësit e QKB-së verifikojnë detajet e emrave në regjistrim. Ose nëse SHIK nuhat pak më me kujdes rutinën e regjistrit të biznesit me kapital të huaj. Policia nuk e tha se si filloi hetimi, por nëse dëmi ka shkuar 4 milionë euro, me siguri një biznes i dëmtuar do ketë bërë një kallëzim.

Dy shtetas të huaj në bashkëpunim me dy shqiptarë kanë regjistruar në QKB të paktën 17 biznese (sipas prokruorisë) dhe kanë verifikuar se këto biznese përdoreshin për të hapur llogari bankare me emra të ngjashëm me biznese të vërteta dhe të mirënjohura në vend. Duke përfituar nga regjistrimi me NIPT dhe emër biznesi dublues, mashtruesit kanë adresuar përmes telefonit dhe emailit, disa klientët të derdhnin pagesa në llogari bankare që nuk ishin të NIPTI-T autentitk por të NIPTI-T të dubluar.

Pra mashtrimi nuk është vetëm tek aksesi i të dhënave të faturës dhe detyrimit, mashtrimi bazë është tek regjistrimi i NIPT-eve me emra të bizneseve të famshëm dhe suksesshem shqiptarë e te huaj.

Skemë mashtrimi jo fort e sofistikuar për një vend ku QKB verifikon markën dhe emrin. Dhe ku vendimmarrja politike ka gjykuar që regjistri të mos jetë i hapur i aksesueshëm dhe i verfikueshëm, ne makina kërkimi që bëjnë të mundur më shumë verfikim nga klientët, bankat, palë të treta dhe vetë bizneset.

Çdo të thotë NIPT që dublon emër tregtar apo emër të njohur në hapësirën tregtare.

Shembull Kompania Kraco Limited është krijuar nga kamerunasi Flevious Njobarah Kengong, i biri i Kenkongut, i lindur në vitit 1992. Me 100 Lek kapital ky Kenkog-u ka regjistruar në QKB  një kompani me emrin e markës më të njohur të çajrave, ushqimeve dhe të tjera produkteve shqiptare KRACO.

Në këtë moment kamerunasi thjesht ka shtuar prapashtesën Limited që është prapashtesa anglisht për SHPK. Pyetje: A trajnohet punonjësi i QKB për këto detaje gjuhësore e terminologjike. A ka vetë institucioni rregullore të qarta që instruktojnë vetërregullim për dublim në emër formim përmes prapashtesave teknike. Me pak fjalë a ka diku pak mosveprim institucional dhe neglizhencë?

Këtë e ka bërë edhe për emra biznesesh të tjera në vend, po përmend KRACO pasi këtë ka zbardhur edhe prokuroria.

Pra një emër super i njohur në Shqipëri dhe përtej, është aksesuar në QKB nga një riosh nga Kameruni. Ky lloj dublimi nuk është bërë me një, por me dhjetëra emra biznesi apo tregtare nga po të njëjtët shtetas. Pas kësaj kamerunasi me NIPT mund të hapë llogari bankare me emrin KRACO shpk (apo Limited) sa të dojë dhe të adresojë me shumë pak punë mashtrimi faturat reale tek llogari të vërteta, por mashtruese.

Punonjësi i QKB mund të ketë qenë neglizhent, i paaftë, i patrajnuar, i punësuar me “mik”, por në çdo rast paaftësia për verifikim është indinjuese dhe rikrijimi i një emri me LIMITED si pjesë përbërëse e marke, është përherë një defekt verifikimi. Institucioni ta zgjidhë nëse e ka fajin ai që bën rregulloren apo ai që bën verifikimin.

Pas kësaj vijmë ke shërbimet tona inteligjente. Patjetër ky institucioni ynë ka department për krimet ekonomike, për monitorimin e të huajve me sjellje të dyshimta etje etj. Patjetër ka akses tek regjistri i biznesit i cili duhet të ishte i hapur gjerësisht për mbrojtje klienti dhe pale të tretë por është i hapur vetëm 20%.

A ka shance të jenë pak më inteligjent, aq sa të kapin dy rioshë nga Kameruni para se dëmi i denoncuar të bëhet 4 milioën euro? Para se 23 emra biznesesh të rëndësishme të dublohen në 23 nipt-biznese me 100 lek kapital të huaj nga Kameruni, Nigeria, Gana. Egjipti etj me të njëjtin numër telefoni, me të njëjtët riosh aksioner, me prapashtesa standarte shpk/limited dhe mbi të gjitha me ambicie biznesi për sektorë ndërtim, të patundshme, tregti, Ffrmaceutike, bujqësi dhe sport, sektorë me kapital, licencë, regjistrime specifike etj etj.

Vallë janë aq jo inteligjent sa të mos kenë asnjë lloj ideje kur me të njëjtin numër telefoni dhe adresë emaili një shtetas x apo 2 x-a, nga Kameruni regjistrojnë 23 bizese për çudi me emra të grupeve të njohura dhe promovuara të biznesit shqiptar, thjeshtë duke shtuar një prapashtesë LIMITED që do të thotë në anglisht shpk.

Numri 0696912xx0 ne databazën Open Corporates Albania është jo në 7 (sa zbardh publikisht prokuroria) por në 23 NIPTE të regjistruara.  Më i hershmi është në vitin 2019.

Të nderuar zyrtarë (SHIK) të paguar me taksat tona, dhe që po lexoni këtë status opinion, në shtator bëni një trajnim se si të përdorni regjistrin e biznesit në mënyrë më inteligjente dhe ta mbroni biznesin dhe ekonominë shqiptare nga mashtrime kaq naive, që vetëm në vendin tonë aplikohen me dëm ekonomik deri tani llogaritur 4 milionë euro.

Për institucionet ka edhe pyetje si:

– Po mbrojtja e emrit tregtar të biznesit vendas?

– A referohen qartë në rregulloret e brendshme prapashtesat teknike Limited, SHPK dhe SHA si pjese e emër formimit.

– Po shpërdorimi i detyrës dhe mungesa e kontrollit për të dhënat që dublojnë emra të regjistruar tregtar.

– Pse QKB kufizon aksesin tek të dhënat duke mos lejuar kërkimin përmes makinave të kërkimit? Klienti dhe përdoruesi do ishte më i mbrojtur. Vizibiliteti i tregtarit po ashtu.

Prokuroria e Tiranës bën shumë mirë që heton dhe komunikon, por mashtrimi nuk është bërë vetëm me aksesim të dhënash sensitive (mashtrim kibernetik). Mashtrimi është bërë me regjistrim biznesesh me emra biznesesh vendase, dhe këtu një pjesë e mosveprimit është edhe tek institucioni që regjistron duke mbrojtur të drejtën e emrin, markës, brandit nga dublimi me prapashtesë terminologjike LIMITED.

Më poshtë të Pasaporta për kompanitë për të cilat ka njoftuar hetim prokuroria

  1. M01406024K – TANG KWOK YUE http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M01406024K
  2. M01622006G – PILATUS AIRCRAFT LTD http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M01622006G
  3. L92431008C – MICHAEL ODYLON LAGMAN ROMERO http://www.opencorporates.al/sq/nipt/L92431008C
  4. L91922013G – KRACO LIMITED http://www.opencorporates.al/sq/nipt/L91922013G
  5. M01327009A – KWOK TANG http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M01327009A
  6. L92125004A – WORLDWIDE TRADING LIMITED http://www.opencorporates.al/sq/nipt/L92125004A
  7. M02013503U – WORLDWIDE GO LTD http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M02013503U
  8. M02116024H – CONNECTA INTERCONTINENTAL http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M02116024H
  9. M01407007C – Ugochukwu Emmanuel Emereibenu http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M01407007C
  10. Shoqeri me zoterues shqiptare:
  11. M01909013C – LEKLIFARM GLOBAL http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M01909013C
  12. M02411016A – MAIBOM GMBH http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M02411016A
  13. M11623012K – HORTIFEEDS http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M11623012K
  14. M11524002F – TEST FUCHS GMBH http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M11524002F
  15. M11416001A – ECI PHARMACEUTICALS LLC http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M11416001A
  16. M11602006A – GS ECOMETAL CO LTD http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M11602006A
  17. M02028007F – Xhentil Kupe http://www.opencorporates.al/sq/nipt/M02028007F