Vendosni fjalën kyçe....

Policia godet korrupsionin në Kapshticë, i vë prangat të riut që i ofroi 20 euro efektivit


Policia Kufitare në Kapshticë ka goditur paligjshmërinë duke arrestuar një 28-vjeçar.

Sipas bluve kufitarë i riu me iniciale J.X., i ka ofruar një punonjës policie 20 euro në kufi për të përfituar përshpejtimin e shmangien e kontrollut në kufi pasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Ai është arrestuar dhe është shoqëruar në policinë e Korçës.

Njoftimi

“Kapshticë

Vijojnë kontrollet e detajuara për goditjen e paligjshmërisë. Goditet një rast i korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Punonjësit e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, gjatë kryerjes së proceduarave të regjistrimit të shtetasve që kalojnë kufirin, kanë goditur një rast të korrupsionit. Shtetasi J. X., 28 vjeç, banues në Elbasan, gjatë kryerjes së procedurave të regjistrimit në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në momentin kur punonjësi i Policisë i ka kërkuar pasaportën, ai ia ka dhënë atë, me një kartëmonedhë të prerjes 20 euro në brendësi të saj, me qëllim përshpejtimin dhe shmangien e procedurave të kontrollit të dokumentacionit për kalimin drejt tokës shqiptare, pasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbër. Specialistët për Hetimin e Krimit Financiar-Ekonomik pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë kanë shoqëruar shtetasin J. X., 28 vjeç, banues në Elbasan, për veprime të mëtejshme.”