Eksportet bujqësore rriten me 17 për qind këtë 6-mujor. Kjo ka qenë deklarata e ministre së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi, teksa ka takuar fermerë shqiptarë së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Gent Gazhelin.
Ekonomi vlerësoi punën e mire sipas saj që kanë bërë pikat e grumbullimit për të përhapur tek fermerët kulturën bujqësore, sic janë metodat e reja të mbjelljes së fidanëve që garantojnë rritje të prodhimit e për pasojë dhe më shumë të ardhura për fermerin. Sipas Ekonomit kjo ka sjellë dhe rritje të eksporteve bujqësore në tregjet ndërkombëtare me 17 përqind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Fermeri që punon tokën ka shanset më të mëdha që të rrisë të ardhurat e tij. Në këtë 6 mujor jemi rritur në krahasim me 6- mujorin e vitit të kaluar me 17 përqind dhe vlera e eksporteve shqiptare ka shkuar 214 milionë dollarë. Është një shifër që duhet t’ju bëjë krenarë për punën që bëni çdo ditë”, tha Ekonomi duke shtuar se nga viti 2017 deri më sot, eskportet bujqësore janë rritur me 27.5 përqind dhe vlera e tyre është 400 milionë dollar dhe gjithashtu janë shtuar vendet me të cilat Shqipëria kryen shkëmbime tregtare, nga 59 në vitin 2013, në 82 vende në vitin 2020. Sipas saj sot janë 8 mijë fermerë me certifikatën globale “GAP” që eksportojnë domate dhe 3 mijë fermerë që eksportojnë bimë medicinale në Malësinë e Madhe.